Pavarësia energjetike mbetet një nga qëllimet më të larta strategjike të Qeverisë, njofton Ministria e Energjisë, me rastin e 10 Korrikut – Ditës ndërkombëtare të pavarësisë energjetike.
Prej aty potencojnë se gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë hapa konkretë drejt një Maqedonie energjetikisht të pavarur – një shtet që do të prodhojë më shumë energji vendore, të pastër dhe të përballueshme, do të përshpejtojë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, do të modernizojë infrastrukturën energjetike dhe do të diversifikojë burimet dhe drejtimet e furnizimit me energjensë.
“Rezultatet tashmë janë të dukshme. Sipas të dhënave më të fundit të SHA ESM, prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet është rritur me 76 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa prodhimi nga centralet me erë shënon një rritje prej rreth 10 për qind. Në të njëjtën kohë, niveli i mbushjes së akumulacioneve ka arritur në rreth 80 për qind, duke përbërë një rezervë të rëndësishme për furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt gjatë periudhave me konsum të shtuar. Paralelisht, po realizohen edhe investime të reja në kapacitetet prodhuese. Po ndërtohet me intensitet faza e dytë e parkut me erë në Bogdancë, i cili vitin e ardhshëm do të arrijë një kapacitet të instaluar prej 50 MW. Njëkohësisht, po nisin aktivitetet për ndërtimin e centraleve fotovoltaike Manastir 1 dhe Oslomej 2, ndërsa përgatitjet për Manastir 2 dhe Manastir 3 ndodhen në një fazë të avancuar”, theksojnë nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Në këtë drejtim, po realizohet me intensitet projekti për interkonektorin e gazit me Greqinë, i cili do të mundësojë qasje në burime të reja të gazit natyror. Njëkohësisht, janë në zhvillim edhe përgatitjet për realizimin e interkonektorit të gazit me Serbinë, me ç’rast Maqedonia do të bëhet pjesë e një rrjeti më të gjerë rajonal të gazit dhe do ta forcojë rolin e saj si një nyje energjetike në Ballkan.
“Qëllimi ynë është i qartë – Maqedonia të bëhet një shtet energjetikisht i pavarur, të prodhojë më shumë energji vendore, të pastër dhe konkurruese. Ne po zhvillojmë burimet e ripërtëritshme, po investojmë në infrastrukturë moderne dhe po hapim korridore të reja energjetike që do ta forcojnë sigurinë e furnizimit. Kjo nuk është vetëm një përfitim ekonomik, por edhe çështje e sigurisë kombëtare, stabilitetit dhe zhvillimit. Ambicia jonë nuk është vetëm të përmbushim nevojat vendore, por që Maqedonia të bëhet edhe eksportuese neto e energjisë elektrike”, thotë ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.
Krizat e fundit globale energjetike edhe një herë kanë konfirmuar se shtetet që investojnë në prodhimin e tyre dhe në lidhje energjetike të diversifikuara janë më rezistente ndaj goditjeve të jashtme, më konkurruese dhe i mbrojnë më me sukses interesat e qytetarëve të tyre dhe të ekonomisë.
“Pikërisht për këtë arsye, Ministria mbetet fuqimisht e përkushtuar për krijimin e një sistemi energjetik të sigurt, modern dhe të qëndrueshëm – sepse një energjetikë e fortë do të thotë një shtet i fortë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, me rastin e Ditës ndërkombëtare të pavarësisë energjetike.





