Një zhurmë e fortë në gju, ënjtje e menjëhershme apo ndjesia se gjuri “lëshon” nuk janë gjithmonë pasojë e një lëndimi të zakonshëm.
Ortopedët paralajmërojnë se këto simptoma mund të sinjalizojnë dëmtim të ligamenteve të gjurit, një nga dëmtimet më serioze të sistemit muskulor-skeletor, që pa trajtimin e duhur mund të lërë pasoja afatgjata.
Lëndimet e ligamenteve prekin më shpesh sportistët, por nuk janë të rralla as te personat që ushtrojnë aktivitet fizik në mënyrë rekreative. Një ndryshim i papritur drejtimi, një rënie apo një goditje direkte në gju mund të mjaftojë për të dëmtuar strukturat që mbajnë nyjën stabile.
Një nga dëmtimet më të shpeshta dhe më të rënda është këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL), e cila zakonisht shoqërohet me dhimbje të forta, periudhë të gjatë rikuperimi dhe, në shumë raste, me nevojën për ndërhyrje kirurgjikale.
Stabiliteti i gjurit varet nga katër ligamente kryesore:
-Ligamenti i kryqëzuar i përparmë (ACL), që pengon lëvizjen e tepërt të kërcirit përpara dhe është më i ekspozuari ndaj dëmtimeve.
-Ligamenti i kryqëzuar i pasmë (PCL), i cili dëmtohet më rrallë dhe zakonisht si pasojë e traumave të forta, si aksidentet automobilistike.
-Ligamenti kolateral lateral (LCL), që stabilizon pjesën e jashtme të gjurit.
-Ligamenti kolateral medial (MCL), që ndodhet në pjesën e brendshme të gjurit dhe lëndohet shpesh gjatë lëvizjeve rrotulluese.
Simptomat zakonisht shfaqen menjëherë pas dëmtimit dhe ndryshojnë sipas shkallës së lëndimit. Shenjat më karakteristike janë:
-dhimbje e fortë dhe e menjëhershme në gju;
-tingull kërcitjeje ose ndjesi “këputjeje” në momentin e lëndimit;
-ënjtje që shfaqet brenda 24 orëve;
-ndjesia se gjuri nuk është i qëndrueshëm ose “lëshon”;
-vështirësi ose pamundësi për të ecur normalisht;
-kufizim i lëvizjes së gjurit.
Specialistët theksojnë se këto simptoma kërkojnë vlerësim sa më të shpejtë mjekësor, pasi vonesa në diagnostikim mund të çojë në dëmtime të tjera të nyjës.
Si konfirmohet diagnoza?
Pas ekzaminimit fizik, mjekët mund të kërkojnë radiografi për të përjashtuar frakturat, ndërsa rezonanca magnetike (MRI) mbetet metoda më e besueshme për të vlerësuar dëmtimin e ligamenteve, kërcit dhe strukturave të tjera të gjurit.
Si trajtohet një dëmtim i ligamenteve?
Trajtimi varet nga shkalla e dëmtimit. Në rastet më të lehta ose të moderuara, rikuperimi mund të arrihet pa operacion, përmes një programi rehabilitimi.
Zakonisht rekomandohen:
-pushim dhe shmangie e ngarkesës mbi gjurin;
-përdorimi i patericave sipas nevojës;
-kompresa të ftohta për 20–30 minuta disa herë në ditë;
-fashë elastike ose bandazh kompresiv;
-mbajtja e këmbës të ngritur për të ulur ënjtjen;
-ortozë për stabilizimin e gjurit;
-barna antiinflamatore sipas udhëzimit të mjekut;
-fizioterapi dhe ushtrime të përshtatura individualisht.
Ekspertët paralajmërojnë se ushtrimet nuk duhet të nisin pa rekomandimin e specialistit, pasi ngarkesa e parakohshme mund të zgjasë procesin e shërimit.
Kur operacioni bëhet i domosdoshëm?
Ndërsa dëmtimet e ligamenteve kolaterale (MCL dhe LCL) shpesh trajtohen pa kirurgji, këputjet e plota të ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL) zakonisht kërkojnë rindërtim kirurgjikal.
Gjatë operacionit përdoret një graft tendine, zakonisht i marrë nga vetë pacienti, për të zëvendësuar ligamentin e këputur. Rikuperimi është i gjatë dhe kërkon rehabilitim intensiv.
Operacioni rekomandohet veçanërisht për personat me paqëndrueshmëri të theksuar të gjurit, dhimbje kronike ose për sportistët që synojnë rikthimin në nivel të lartë aktiviteti.
A mund të parandalohet?
Edhe pse nuk mund të shmangen plotësisht, rreziku për dëmtimin e ligamenteve mund të ulet ndjeshëm me disa masa parandaluese.
Specialistët këshillojnë forcimin e muskujve të kofshës dhe kërcirit, ushtrime të rregullta shtrirjeje, ngrohje para aktivitetit fizik, rritje graduale të intensitetit të stërvitjes dhe përdorimin e teknikës së duhur gjatë ushtrimeve.
Sipas ekspertëve, përgatitja e mirë fizike dhe reagimi i menjëhershëm ndaj shenjave të para të lëndimit janë mënyrat më të mira për të shmangur komplikacionet serioze dhe për të mbrojtur shëndetin e gjurit.





