Në kulmin e sezonit prodhues, ‘fluturojnë’ çmimet e perimeve në Shqipëri

featured
Press Online
09 Korrik 2026, 08:32

Çmimet e perimeve shënuan një rritje të fortë në qershor, pikërisht në periudhën kur prodhimi vendas dhe oferta sezonale pritet të jenë më të larta në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare te INSTAT mbi inflacionin, grupi “Perime, zarzavate dhe bishtajore” u shtrenjtua me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është pothuajse trefish më e lartë se inflacioni mesatar i ushqimeve, i cili rezultoi 3%, raporton Monitor, transmeton Klankosova.tv.

Ecuria e çmimeve të perimeve duket paradoksale, pasi qershori përkon me kulmin e prodhimit të një pjese të madhe të kulturave bujqësore. Në kushte normale, shtimi i ofertës gjatë sezonit do të duhej të ushtronte presion në uljen e çmimeve, por në tregjet e pakicës ka ndodhur e kundërta.

Shtrenjtimi mund të lidhet me kostot e prodhimit, edhe me rritjen e kërkesës gjatë sezonit turistik. Rritjen më të lartë mes produkteve ushqimore e shënuan peshku dhe produktet e tjera të detit, me 9%. Pas tyre renditen perimet me 8.5%.

Çmimet e mishit u rritën me 4.2%, ndërsa qumështi, produktet e tjera të bulmetit dhe vezët u shtrenjtuan me 2.4%.

Sheqeri, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë u shtrenjtuan me 2.5%, ndërsa vajrat dhe yndyrat me 1.7%. Rritje më të moderuar pati te drithërat dhe produktet me bazë drithërash, me vetëm 0.9%.

Në kahun e kundërt, frutat e freskëta dhe të thata ishin i vetmi grup që shënoi ulje të çmimeve, me 2.8% në raport me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se presionet mbi buxhetet familjare vijojnë të vijnë kryesisht nga produktet bazë të konsumit, me perimet që, pavarësisht sezonit të bollshëm bujqësor, po shënojnë një nga rritjet më të larta të çmimeve.

Shtrenjtimi i perimeve po vjen si një ndërthurje e faktorëve që nisin me kufizimin e  prodhimit bujqësor, kërkesës së lartë nga turizmit, rritjes së eksporteve dhe rritjes së kostove të prodhimit dhe transportit

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter