Zgjedhjet e ardhshme me Kodin e vjetër

featured
Press Online
08 Korrik 2026, 11:55

Ka dështuar përpjekja e pushtetit dhe opozitës për të arritur konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke bërë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen sipas rregullave aktuale. Në vend të një marrëveshjeje, partitë paraqitën propozime të reja, ndërsa mbetën të palëkundura në qëndrimet dhe prioritetet e tyre, informon PressOnline.al

VMRO-DPMNE ia atribuoi përgjegjësinë opozitës, duke deklaruar se do të pranojë çdo zgjidhje për të cilën bien dakord partitë opozitare, por pa hequr dorë nga kërkesa që diaspora të ketë të drejtë vote.

“Gjithçka që do të dakordojnë Levica, LSDM, BDI dhe partitë e tjera opozitare – nga financimi, votimi i diasporës, propozimi për një njësi zgjedhore dhe të gjitha detajet e tjera – ne do ta pranojmë, nëse pranohet qëndrimi ynë që diasporës t’i respektohet e drejta kushtetuese për të votuar”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.

Ai shtoi se koalicioni qeverisës me VLEN dhe ZNAM ka ofruar një model të ri, duke theksuar se qëllimi është që diaspora të ketë mundësi të votojë në numër më të madh se deri tani.

Nga ana tjetër, BDI vlerësoi se negociatat tashmë kanë dështuar dhe fajësoi VMRO-DPMNE-në për tërheqje nga marrëveshjet e arritura më parë.

“Propozimi i harmonizuar u dorëzua në Kuvend dhe BDI e nënshkroi pikërisht në formën për të cilën ishte rënë dakord. Pas dorëzimit, VMRO-DPMNE u tërhoq nga dy pika thelbësore të marrëveshjes – nga votimi elektronik i diasporës dhe nga parimi që aktet nënligjore të KSHZ-së të miratohen me konsensus”, deklaroi koordinatorja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, përcjell PressOnline.al

Ajo theksoi se çdo ndryshim i Kodit Zgjedhor duhet të miratohet me konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak.

LSDM akuzoi pushtetin se nuk ka qenë i interesuar për reforma zgjedhore, por për manipulim të procesit zgjedhor.

“E vërteta është se gjithçka është gënjeshtër te Mickoski dhe VMRO. As nuk duan, as nuk kanë kapacitet politik për konsensus dhe as synim të sinqertë për dialog politik. Problemi është te pushteti dhe te Mickoski, i cili dëshiron të manipulojë me 200 mijë votat e diasporës”, deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, përcjell PressOnline.al

Sipas saj, qeveria po kërkon modele që krijojnë hapësirë për inxhinieri zgjedhore.

Levica vlerësoi se procesi nuk duhet të ndërpritet dhe propozoi që diskutimet të vazhdojnë në kuadër të grupit të punës.

“Zgjidhja jonë kompromisi ishte që të miratohet modeli me një njësi zgjedhore dhe, si projekt pilot, diaspora të votojë me postë vetëm në zgjedhjet presidenciale. Ky propozim u pranua nga VMRO-DPMNE”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të Levicës, Borislav Kërmov.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Zijadin Sela, paralajmëroi bllokimin e ndryshimeve me rreth 300 amendamente nëse diasporës nuk i mundësohet votimi në të gjitha proceset zgjedhore.

“Lidhja Shqiptare angazhohet që diaspora të votojë elektronikisht ose me postë në të gjitha ciklet zgjedhore. Edhe ne do ta bllokojmë ligjin me amendamente sepse duam që diaspora të votojë në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale”, deklaroi Sela.

Nga koalicioni qeverisës VLEN theksuan se për ta është thelbësore që diaspora të mund të votojë, pavarësisht nëse kjo bëhet elektronikisht apo me postë.

“Për ne është e rëndësishme që diaspora të ketë mundësi të votojë, qoftë elektronikisht apo me postë, përmes formave të sigurta, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Diaspora është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë dhe duhet të jetë pjesë edhe e vendimmarrjes politike”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku.

Me dështimin e negociatave, Maqedonia e Veriut pritet të zhvillojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare sipas Kodit Zgjedhor aktual.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter