Në plan të parë vendosen arritjet materiale dhe karriera, ndërsa harrohet që fëmijët të mësohen për empati dhe shoqëri

featured
Press Online
07 Korrik 2026, 12:37

Para disa ditësh në rrjetet sociale u shfaq një video me përmbajtje shqetësuese, ku një vajzë në komunën Aerodrom të Shkupit u rrah brutalisht me shuplaka, u tërhoq për flokësh, u poshtërua dhe u detyrua të gjunjëzohej e t’i kërkonte falje një bashkëmoshatareje, ndërsa gjithë aktin e rëndë e incizonin me telefona celularë rreth dhjetë të mitur meshkuj, të cilët edhe brohorisnin.

Pasi videoja e tmerrshme u përhap në publik, ajo shkaktoi reagime të shumta negative në rrjetet sociale, ndërsa policia i thirri në bisedë të gjithë të dyshuarit në rast.

Nga MPB paralajmëruan kallëzime penale për vajzat dhe prindërit e tyre.

“Pas përfundimit të hetimit do të parashtrohen kallëzime penale për veprat penale ‘dhunë’ sipas nenit 386 dhe ‘braktisje dhe keqtrajtim i personit të mitur’ sipas nenit 201 të Kodit Penal”, informojnë nga MPB, përcjell PressOnline.al.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës mes bashkëmoshatarëve. Një pjesë e fëmijëve shpesh janë të ekspozuar ndaj keqtrajtimit psikik dhe fizik nga bashkëmoshatarët e tyre, gjë që paraqet problem serioz në Maqedoni.

Për këtë arsye, “Fokus” ka biseduar për këtë temë me Ivana Stoimenovska, magjistre e psikologjisë sociale dhe psikoterapeute familjare e sistemike, bisedë të cilën po e përcjell PressOnline.al.

“Trendi në rritje i dhunës mes bashkëmoshatarëve në Maqedoni, veçanërisht me shfaqje eksplicite të agresivitetit, mund të them se është rezultat i një kombinimi faktorësh: individualë, familjarë, shkollorë, shoqërorë dhe kulturorë.

Kur arrijmë në thelbin e një problemi, si në këtë rast, fillimisht duhet ta marrim parasysh zhvillimin individual të personalitetit në lidhje me kontekstin familjar në të cilin ai person është rritur dhe zhvilluar”, shpjegon Stoimenovska.

Sipas saj, në shoqërinë tonë gjithnjë e më shumë familje funksionojnë në atë mënyrë që në plan të parë vendosen arritjet materiale dhe dëshira për zhvillim profesional, ndërsa stimulimi i zhvillimit të empatisë, bashkëpunimit, shoqërisë, kultivimit të marrëdhënieve të mira në familje dhe tolerancës sikur mbetet diku në plan të dytë.

“Në familje të tilla, ku ngec zhvillimi socio-emocional ose nuk stimulohet, zhvillohen personalitete që kanë problem me vetëkontrollin dhe vetërregullimin, si dhe me shfaqjen e sjelljes agresive në të gjitha format e saj.

Te të rinjtë shoh edhe një lloj ‘normalizimi’ të këtij lloji të dhunës, gjë që më shtyn të mendoj edhe për faktorin kulturor të mjedisit mes bashkëmoshatarëve si faktor të rëndësishëm për rastet gjithnjë e më të shumta të këtilla”, shton Stoimenovska.

Shkollat që nuk ndërmarrin asgjë, ose punojnë shumë pak në parandalimin e hershëm dhe zbulimin e dhunës, por edhe mosndëshkimi i shfaqjes eventuale të sjelljes së dhunshme te të rinjtë, krijojnë hapësirë ose klimë për zhvillimin dhe normalizimin e saj.

“Shteti, para së gjithash, duhet ta ndezë alarmin e kuq për këtë temë dhe, së bashku me shkollat, punonjësit profesionalë dhe të gjitha institucionet relevante, t’i përkushtohet në mënyrë ekipore këtij problemi të rëndësishëm. Kjo duhet të bëhet duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për zbulim dhe parandalim të hershëm, për hapje dhe qasje më të madhe të psikologëve në shkolla për të gjithë fëmijët që në çfarëdo mënyre janë të prekur nga dhuna mes bashkëmoshatarëve. Por, më në fund, duhet të funksionojnë edhe institucionet që do ta sanksionojnë një sjellje të tillë të palejueshme, me dënime që do t’i prekin edhe të rinjtë, por edhe familjet e tyre”, shpjegon ajo.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter