Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë ekskluzive për “Breitbart News”, theksoi hapur mbështetjen e fuqishme për presidentin amerikan Donald Trump dhe administratën e tij, duke shpresuar se gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ardhshme të Kombeve të Bashkuara do të ketë mundësi të takohet me të, në Shtëpinë e Bardhë ose në ndonjë lokacion tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në intervistën, për “Breitbart Njuz”, Kryeministri Mickoski thekson se Maqedoniae Veriut e mbështet “fuqishëm” politikën e Trumpit dhe se qeveria e tij, që para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, kishte dërguar mesazhe mbështetjeje te njerëzit e rrethit më të ngushtë të presidentit aktual amerikan.
Ai pretendon se Maqedonia është një nga aleatët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe se vendi vazhdimisht i ka mbështetur qëndrimet e administratës së Trumpit, përfshirë edhe gjatë votimeve në Kombet e Bashkuara.
Mickoski gjithashtu deklaroi se me kënaqësi do ta priste Trumpin në Maqedoni, nëse presidenti amerikan vendos ta vizitojë rajonin.
Maqedonia dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në atë rrugë kemi bërë shumë lëshime, të cilat, sipas burokratëve nga Brukseli dhe nga e gjithë bota, duhej të ishin gjëja e fundit që do të bënim. Por, për fat të keq, ata na tradhtuan dhe na mashtruan, thekson kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për “Breitbart News”, përcjell PressOnline.al
Mickoski e përshkroi anëtarësimin në BE si objektivin e dytë kyç, pas partneritetit strategjik me SHBA-në.
“Po e dobësojnë krahun jugor dhe lindor të NATO-s duke na kufizuar që të bëhemi pjesë e BE-së, sepse sa më e fuqishme ekonomikisht të jetë vendi im, aq më i qëndrueshëm do të jetë krahu lindor i NATO-s. Do të mund t’i modernizojmë shumë më shpejt forcat tona të armatosura dhe të investojmë më shumë në korridoret që janë të rëndësishme për qëllimet logjistike të NATO-s. Pra, ekzistojnë shumë arsye pse duhet të jemi pjesë e BE-së dhe kjo është një arsye shtesë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata e presidentit Trump të na mbështesin”, thekson Mickoski në intervistën ekskluzive për “Breitbart News”.
Gjatë një vizite në Drejtorinë për Punë Hidrometereologjike, Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se do të ishte “më i lumturi” nëse SHBA-ja nuk do t’u jepte viza imigruese qytetarëve të Maqedonisë, duke thënë se politika e Qeverisë është që emigrantët t’i kthejë në vend.
Ndryshe, në janar të këtij viti SHBA-ja vendosi një ndalesë që nënkuptonte pezullimin e lëshimit të vizave për qëndrim të përhershëm për qytetarët e 75 vendeve. Në listë, përveç Maqedonisë, ishin edhe Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, si dhe vende nga Ballkani, Lindja e Mesme, Afrika, Azia dhe Karaibet.
Ditëve të fundit, një gjykatë federale në SHBA anuloi ndalesën për lëshimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre edhe Maqedoninë.
Për qytetarët maqedonas, masa nënkuptonte pezullimin e lëshimit të vizave imigruese për ata që planifikonin të shpërnguleshin në SHBA, ndër të tjera për bashkim familjar ose për shkak të punësimit.
Ndalimi nuk u referohej vizave joimigruese, siç janë vizat turistike dhe studentore.


