Gruaja e dyshuar për përfshirjen në atentatin ndaj oligarkut ukrainas në Monako është gjetur e vdekur në Ukrainë, raportojnë mediat ukrainase dhe ruse. Trupi i saj u zbulua i varrosur në rajonin e Kievit dhe kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Sipas raportimeve, për vrasjen e saj janë arrestuar dy persona të dyshuar: një oficer në detyrë i Drejtorisë së Përgjithshme të Inteligjencës dhe një ish-punonjës i autoriteteve ligjzbatuese ukrainase.
Viktima është identifikuar si Anastasia Berezovska, 39 vjeçe, trupi i së cilës u gjet rreth orës 23:00 të së hënës. Ajo dyshohej se kishte vendosur një pako pranë hyrjes së një pallati më 29 qershor, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes fillimisht në këmbë dhe më pas me makinë drejt Gjermanisë. Sipas hetimeve, ajo ishte kthyer në Ukrainë më 1 korrik.
Berezovska ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me një “njoftim të kuq” nga Interpoli, nën dyshimet për tentativë vrasjeje, vendosje të një pajisjeje shpërthyese në një rrugë publike dhe bashkëpunim kriminal.
Në atentatin në Monako u plagos rëndë milioneri ukrainas Vadim Yermolaiev, ndaj të cilit janë vendosur sanksione, partnerja e tij dhe djali i tyre. Partnerja e tij, 46-vjeçarja Anna Nasobina, e cila jeton në Londër, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi humbi të dyja këmbët si pasojë e plagëve. Djali 13-vjeçar i çiftit pësoi gjithashtu lëndime të lehta.
Sipas autoriteteve të Monakos, e dyshuara kishte qenë e maskuar si burrë gjatë kryerjes së sulmit. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që atentati të ketë lidhje me konflikte për një biznes qendër telefonike në qytetin ukrainas Dnipro, ku ishin të përfshirë Yermolaiev dhe djali i tij, Artur, 35 vjeç.
/vizionplus.tv





