Analisti politik Ardian Bytyqi ka deklaruar se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po vërehet një pjesë që është e hapur për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, por sipas tij, partia aktualisht është e ndarë në disa grupe.
Bytyqi, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, deklaroi se LDK-ja është në një situatë të brendshme të fragmentuar dhe se mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të unifikohet në rast se hapen negociatat me Vetëvendosjen për krijimin e institucioneve.
Sipas tij, kjo ndarje e brendshme e vështirëson një qëndrim të përbashkët të partisë, ndërsa vlerësoi se vetëm procesi i negociatave mund të tregojë nëse LDK-ja mund të bëhet më kompakte.
“Tek një pjesë e LDK-së po vërehet një disponim për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje. Lidhja Demokratike e Kosovës është e ndarë në tri pjesë Lumir Abdixhiku me Vjosa Osmanin në njërën anë, Imri Ahmeti me Gazmend Muhaxherin e Përparim Ramën në anën tjetër dhe zotëri Hoti me zonjën Bajrami në një anën tjetër. LDK-ja për momentin është copë-copë por a do të bëhet kompakte në ditën që Lëvizja Vetëvendosje të negociojë me ta mbetet të shihet – besoj se gjasat janë shumë të vogla por nuk dihet. LDK-ja është çelësi që të prodhojmë zgjidhje dhe mos të shkojmë sërish në zgjedhje”, u shpreh Bytyqi.
https://www.youtube.com/watch?v=hZwe0KKFGO4





