Sekuestrohen asete në vlerë rreth 1 milion euro lidhur me një rrjet pastrimi parash të trafikimit të drogës

featured
Press Online
06 Korrik 2026, 11:29

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar më 30 qershor një operacion në Prishtinë, ku janë sekuestruar asete me vlerë rreth 1 milion euro, në kuadër të një hetimi për pastrim parash nga trafikimi i drogës.

Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe franceze dhe i koordinuar nga Europol dhe Eurojust, ka zbuluar një rrjet kriminal transnacional të dyshuar për pastrimin e të ardhurave nga droga.

Sipas autoriteteve, pas analizës së materialeve dhe shkëmbimit të informacionit përmes kërkesave të ndihmës juridike, janë identifikuar llogari bankare, pasuri të paluajtshme, biznese dhe automjete luksoze të lidhura me një çift shtetas kosovarë që jetojnë në Itali dhe që po hetohen nga autoritetet italiane.

Çifti është arrestuar më herët në Francë, ndërsa në shtator 2025 autoritetet franceze kishin sekuestruar edhe sasi të mëdha ari dhe miliona euro cash.

Hetuesit theksojnë se rrjeti kriminal ka përdorur konvertimin e parave në ar për të fshehur origjinën e paligjshme dhe për të lehtësuar transportin ndërkufitar të mjeteve financiare.

“Sipas autoriteteve, konvertimi i parave të gatshme në ar shërbeu për një qëllim të dyfishtë: fshehjen e origjinës së paligjshme të të ardhurave kriminale dhe lehtësimin e fshehjes dhe transportit të tyre ndërkufitar, veçanërisht në Kosovë, Turqi dhe Marok”, thuhet nga Policia.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter