Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka përshëndetur nënshkrimin e kontratës për realizimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar atë si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mexhiti theksoi se me nënshkrimin e kontratës projekti hyn në fazën e zbatimit, ndërsa vlera e investimit tejkalon 200 milionë euro.
Sipas tij, bëhet fjalë për një nga projektet më komplekse infrastrukturore, i cili përfshin ndërtimin e pesë tuneleve, nëntë urave, 11 mbikalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse, duke përballuar sfidat e një terreni të vështirë malor.
Mexhiti theksoi se me përfundimin e këtij projekti do të kompletohet korridori nga Stenkoveci deri në Bllacë me rreth 12 kilometra autostradë moderne, gjë që do të lehtësojë qarkullimin, do të afrojë qytetarët dhe do të forcojë lidhjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ai shtoi se rezultatet konkrete janë dëshmia më e mirë e angazhimit institucional.
“Ne nuk matemi me premtime. Ne matemi me kontrata të nënshkruara, projekte në zbatim dhe rezultate që mbeten”, ka shkruar Mexhiti në statusin e tij.





