SHBA/ Të shtëna me armë zjarri, plagosen 8 persona, mes tyre 4 fëmijë

featured
Press Online
05 Korrik 2026, 19:36

Të shtënat me armë zjarri janë regjistruar gjatë një feste familjare me rastin e 4 Korrikut në lagjen Coney Island të Bruklinit, në Nju Jork. Si pasojë të paktën tetë persona, përfshirë katër fëmijë, mbetën të plagosur.

Sipas mediave të huaja, autori, i veshur tërësisht me të zeza dhe me maskë në fytyrë, hapi zjarr ndaj të pranishmëve dhe më pas u largua me shpejtësi.

Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ngjarja ndodhi rreth orës 22:35 të së shtunës, ndërsa një familje po festonte në oborrin e banesës. Sulmuesi iu afrua gardhit përgjatë Surf Avenue dhe qëlloi disa herë drejt turmës para se të arratisej.

Në vendngjarje, policia gjeti tetë persona të plagosur, katër djem të moshave 6, 7, 12 dhe 14 vjeç, dy gra 21 dhe 25 vjeçe, si dhe dy burra 33 dhe 37 vjeç.

Autoritetet bënë të ditur se gruaja 21-vjeçare dhe burri 33-vjeçar u qëlluan në gjoks, ndërsa fëmija 6-vjeçar në bark. Tre djemtë e tjerë u goditën në këmbë. Gruaja 21-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, ndërsa shtatë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, dënoi ashpër sulmin.

“Nuk ka vend për një dhunë të tillë në qytetin tonë. Nuk do ta tolerojmë dhe do ta luftojmë me çdo mjet që kemi në dispozicion. Ndërsa ndajmë dhimbjen me familjet e të plagosurve, duhet të angazhohemi që çdo festë dhe çdo ditë pushimi të jetë e sigurt për qytetarët”, deklaroi ai.

Policia nuk ka bërë publik identitetin e viktimave dhe ende nuk ka konfirmuar motivin e sulmit. Megjithatë, komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, tha se nuk kishte pasur asnjë konflikt apo debat gjatë festës para të shtënave.

Ajo shtoi se javën e kaluar, në të njëjtën rrugë, ishte regjistruar një vrasje e lidhur me aktivitetet e bandave kriminale dhe hetuesit po shqyrtojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy incidenteve.

Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një armë e tipit TEC-9 si dhe 10 gëzhoja.

Ndërkohë, një tjetër incident me armë zjarri u regjistrua në Bruklin në orët e para të mëngjesit të së dielës. Një detektiv i Policisë së Nju Jorkut u qëllua gjatë përballjes me një 18-vjeçar të armatosur në lagjen Crown Heights.

Sipas autoriteteve, plumbi goditi jelekun antiplumb të efektivit, i cili nuk pësoi lëndime serioze.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter