Mjaftoi një shkrim kundër Serbisë në rrjete sociale, që Avdi Memçaj të përfundonte në burgun qendror të Beogradit.
Më 20 maj, ai u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për nxitje të urrejtes përmes mediave sociale.
Por për javë të tëra, rasti nuk u bë publik nga familjarët, pasi sipas tyre, frika nga ekspozimi mediatik mund të sillte presion shtesë dhe pasoja për anëtarët e tjerë të familjes.
Tashmë mbrojtjen e tij e ka marrë avokati Arianit Koci, i cili vlerëson se publikimi i rasteve si ky, është mënyra më e duhur për t’u përballur me situata të ngjashme.
“Ai që ka problem duhet patjetër me bë publike, me më informu mua apo edhe organet shtetërore të Kosovës, në mënyrë që ne me pas pasqyrën e saktë, por edhe në mënyrë dhe kohë të duhur me i ndërmarrë veprimet juridike”, ka theksuar Arianit Koci, avokat i Avdi Memçajt.
Koci paralajmëron se autoritetet serbe kanë intensifikuar kontrollet, duke përfshirë edhe verfikimin e përmbajtjes në telefonat personal të qytetarëve.
“Në telefona po i kontrollojnë a mos ka ndonjë foto të UÇK-së, apo diçka tjetër që ka të bëjë me UÇK-në. Në disa raste po i zgjedhin si po munden. Unë dyshoj se ka më shumë raste se ne vërtetë e kuptojmë. Prandaj mendoj se vetë shteti i Kosovës me e marrë me shumë seriozitet këtë çështje, tash kam nevojë edhe për mbështetje institucionale”, ka theksuar Koci.
Arianit Koci thotë se kohët e fundit është vërejtur një shtim i aktivitetit të policisë serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që kalojnë transit nëpër territorin e shtetit serb.
Të premtën në pikën kufitare të Mutivodës, policia serbe e arrestoi kosovarin Osman Selmanin, nën akuzat se ka kryer krime në Prishtinë në qershorin e vitit 1999.
https://www.youtube.com/watch?v=rHACP3gSZuM





