Çmimi maksimal i lejuar i naftës për sot dhe nesër është caktuar në 1.41 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet jo më shtrenjtë se 1.36 euro për litër.
Ndërkohë, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.64 euro për litër, sipas njoftimit të Ministrisë së Tregtisë në Kosovë.
Këto çmime mbeten të njëjta me një ditë më parë, ndërsa krahasuar me dy ditë më herët, ato janë rritur për një cent.
Ministria ka bërë të ditur se ka vazhduar për edhe 30 ditë masën e përkohshme për vendosjen e çmimeve maksimale të derivateve të naftës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e çmimeve të qëndrueshme në treg.
Sipas këtij institucioni, vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizimit të të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat nuk tregojnë ulje të çmimeve të importit të derivateve.
Po ashtu, është konstatuar se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në tregun vendor kryesisht kur ato rriten, ndërsa uljet nuk përcillen në mënyrë të plotë ose shfaqen me vonesë.






