Harry Kane ishte protagonisti absolut i fitores dramatike të Anglisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos në Kampionatin Botëror, duke realizuar dy golat që i dhanë triumfin 2-1 kombëtares së tij në minutat e fundit të sfidës së zhvilluar në Atlanta.

Kapiteni anglez nuk kishte vetëm mbështetjen e tifozëve, por edhe të familjes së tij, e cila ishte e pranishme në tribunë për ta përkrahur në një nga ndeshjet më të rëndësishme të turneut.
Bashkëshortja e tij, Katie Goodland, ndoqi takimin së bashku me tre nga katër fëmijët e çiftit.

Vajzat Ivy Jane, 9 vjeç, dhe Vivienne, 7 vjeç, kishin veshur bluza të bardha dhe funde të kuqe, ndërsa në shpinë mbanin fanellën me numrin 9, numri karakteristik i Harry Kane. Ndërkohë, djali i tyre Louis, 5 vjeç, mbante një fanellë ku shkruhej “Daddy” (“Babi”), një detaj që preku tifozët. Fëmija më i vogël i familjes, Henry, 2 vjeç, nuk ishte i pranishëm në stadium.
Në vend të fanellës së Anglisë, Katie zgjodhi një stil elegant, duke u shfaqur me një komplet mëndafshi të markës Toteme, me vlerë rreth 860 paund (afërsisht 1,000 euro), i përbërë nga një këmishë dhe pantallona të shkurtra me monogram.

Historia e dashurisë mes Katie Goodland dhe Harry Kane është një nga më të veçantat në futbollin anglez.
Ata njihen që nga mosha katërvjeçare, kur ndiqnin të njëjtën shkollë fillore në lindje të Londrës. Më vonë vazhduan së bashku edhe shkollën e mesme, ndërsa lidhja romantike nisi kur ishin vetëm 16 vjeç.
Çifti u martua në qershor të vitit 2019 dhe sot janë prindër të katër fëmijëve. Aktualisht jetojnë në Mynih, ku Kane aktivizohet me klubin e tij, ndërsa kanë edhe një shtëpi familjare në Hertfordshire.
Përveç rolit si bashkëshorte e një prej futbollistëve më të njohur në botë, Katie ka ndërtuar edhe karrierën e saj. Ajo ka studiuar shkencat sportive, ka qenë sportiste dhe punon si trajnere fitnesi, duke vazhduar aktivitetin profesional edhe krahas angazhimeve si nënë e katër fëmijëve.






