Avokati Visar Rrecaj ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke vlerësuar se vazhdimi i paraburgimit të tyre nuk ka më bazë ligjore.
Në Five në TV Dukagjini, Rrecaj tha se pas përfundimit të procesit të paraqitjes së provave dhe dhënies së fjalëve përfundimtare kanë pushuar të gjitha arsyet që, sipas standardeve ligjore, do ta justifikonin mbajtjen në paraburgim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara kanë devijuar nga standardet e zakonshme të drejtësisë dhe nga praktikat e përcaktuara në konventat evropiane.
“Pas dhënies së fjalëve përfundimtare në procesin e Hagës kanë pushuar të gjitha shkaqet dhe arsyet për caktimin dhe vazhdimin e masës së paraburgimit. Fakti se standardi që duhet të përdorë Gjykata Speciale është i njëjti standard që e përdor edhe gjykata e Kosovës edhe krejt gjykatat në Evropë lidhur me paraburgimet. Dhe jashtë këtij standardi nuk guxon të dal asnjë gjykatë, përjashtim ka bërë Gjykata Speciale…
Kjo gjykatë standardet e drejtësisë, standardet e konventave evropiane e ligjore i ka tejkaluar. Mirëpo presim që vendimi përfundimtar të jetë aktgjykim lirues. Dhe pastaj këto të tjerat probleme do t’i mbesin historisë për t’i trajtuar dhe studentëve në Fakultetin Juridik…”, ka thënë Rrecaj.
Komentet e Rrecajt vijnë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftuan se aktgjykimi në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të shpallet më 16 shtator 2026, në një seancë publike në Hagë.
Sipas gjykatës, shtyrja e afatit është bërë për shkak të vëllimit të madh të provave të administruara dhe kompleksitetit të çështjes, me qëllim që Trupi Gjykues të kryejë një vlerësim të plotë, të arsyetuar dhe të drejtë të dokumentacionit.
https://www.youtube.com/watch?v=ziq2Qn2-J1E






