Fetoshi: Vuçiq “pranon” përgjegjësinë për Banjskën

featured
Press Online
02 Korrik 2026, 18:30

VUÇIQ LEGJITIMON SULMIN NË BANJSKË

(“Patrioti” Radoiçiq si pranim i përgjegjësisë së deleguar)

Ajo që dihej, por kamuflohej me heshtje dhe shmnagie të kërkesave të përsëritura të NATO-s e BE-së, më në fund pranohet nga vetë arkitekti i politikës së dhunës. Jo vetëm që s’mund ta çojë në burg “patriotin” i cili organizoi inkursionin e armatosur dhe tentoi aneksimin e veriut, por edhe duhet ta mbrojë me xhandarë “të përndjekurin” nga Interpoli.

Deklarata e Vuçiqit se Milan Radoiçiq “po kërkohet për shkak të Kosovës e Metohisë, jo për shkak të krimit”, nuk shpjegohet ndryshe përveç si pranim dhe legjitimim i operacionit më kërcënues të sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Për kreun e Serbisë, kryeterroristi që e ka pranuar vetë sulmin dhe është përgjegjës për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, nuk është kriminel, por një “patriot” në shërbim të “interesit nacional”.

Prandaj, Raqdoiçiq nuk lidhet me zotimin e tij pas rastit “Senjak” në Beograd se do ta pastrojë aparatin e sigurisë nga përdorimi privat në mbrojtje të kriminelëve.

Prandaj, ai së bashku me Veselinoviqin dhe pronat e tyre, pavarësisht sanksionimit në listën e zezë të SHBA-ve dhe të Mbretërisë së Bashkuar, për korrupsion, kontrabandë e krim të organizuar, duhet të mbrohen nga Xhandarmëria e Serbisë.

Me këtë deklaratë, Vuçiq e pranon sulmin në Banjskë si një operacion në kuadër të strategjisë hibride kundër Kosovës, duke sinjalizuar qartë mbështetjen dhe miratimin e tij politik. Në qoftë se Radoiçiq nuk është kriminel, por një i përndjekur “për shkak të Kosovës”, kjo do të thotë se arsenali i armëve, municioni, pajisjet ushtarake dhe grupi i armatosur në Banjskë, nuk janë çështje krimi, por mjete të një qëllimi politik.

Në komunikimin strategjik, kjo njihet si përgjegjësi e deleguar: shteti nuk e pranon formalisht autorësinë, por i mbron institucionalisht autorët e krimit. Pikërisht këtë po bën Serbia, pavarësisht të vërtetës së ish kreut të Listës Serbe, i akuzuar në Kosovë për sulm kundër rendit kushtetues, financim të terrorizmit e pastrim parash dhe me urdhër-arrest ndaj tij për krime lufte në Gjakovë në vitin 1999 (106 civilë të vrarë dhe mbi 300 të keqtrajtuar).

Para më shumë se dhjetë vitesh, ai dhe Veselinoviq ishin të dyshuar nga vetë BIA për kontrabandë droge, armësh e nafte dhe për fajde e pastrim parash, por pas ardhjes në pushtet të SNS-së së Vuçiqit, ata jo vetëm që nuk u akuzuan, por u kthyen në aleatë besnikë të kauzës për “Botën Serbe”.

Për këtë arsye, deklarata e Vuçiq e konfirmon lidhjen e shtetit me strukturat kriminale në strategjinë hegjemoniste të Serbisë, si kërcënim i vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter