Tre nga katër personat e plagosur në incidentin me armë zjarri në Podujevë kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, ndërsa i plagosuri i katërt është një kalimtar i rastit, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Kështu ka bërë të ditur nënkoloneli i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani.
“Tre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident dhe një kalimtar i rastit, fatkeqësisht, i cili ka lëndime të lehta trupore”, tha Shabani.
Sipas tij, tre nga të plagosurit në Podujevë dyshohet se kanë pasur probleme familjare.
Ai shtoi se motivi i rastit ende nuk dihet, pasi hetimet janë në fazën fillestare.
“Për motivin nuk mund të them me siguri, pasi jemi në fazën e parë të grumbullimit të informacioneve”, deklaroi ai.
Sipas Shabanit, bazuar në informacionet dhe incizimet e siguruara nga vendi i ngjarjes, tre personat që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident janë plagosur me armë zjarri dhe po marrin trajtim në QKUK.
Ndërkohë, më herët prokurori kujdestar kishte bërë të ditur se tre personat e përfshirë në incident dyshohet se kanë lidhje familjare.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Dyshohet se të plagosurit në Podujevë kanë lidhje familjare






