Askush nuk dëshiron ta kalojë vijën e kuqe për votimin e diasporës

featured
Press Online
02 Korrik 2026, 16:17

Qëndrimet diametralisht të kundërta dhe të palëkundura mes partive të pushtetit dhe opozitës po i zvogëlojnë gjithnjë e më shumë gjasat që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të miratojë një Kod të ri Zgjedhor, i cili do të zbatohej në zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri dhe lideri i partisë në pushtet, Hristijan Mickoski, edhe sot doli me një ofertë për opozitën, përkatësisht LSDM-në dhe Levicën, që të pranojnë propozimin që në zgjedhjet presidenciale të vitit 2029 edhe mërgimtarët të votojnë në mënyrë elektronike, por kjo nuk po pranohet. Gjatë qëndrimit të tij në Negotinë, ai përsëriti se të gjitha propozimet e tjera të opozitës do të pranohen pa përjashtim, me kusht që ajo të pajtohet me votimin e bashkatdhetarëve jashtë vendit, përcjell PressOnline.al.

“Mesazhi ynë ishte i qartë: Thoni çfarë të doni, ne do t’i pranojmë të gjitha, por vija jonë e kuqe është votimi i diasporës, sepse diaspora duhet të ndihet e lidhur me atdheun e saj. Qëllimi ynë si Qeveri është që një ditë ta kthejmë atë diasporë në shtëpi. Shpresoj që më në fund koalicioni LSDM – Levica do të guxojë, do t’i lërë mënjanë motivet politike, do të rikthehet në Parlament dhe ende ka kohë që ta realizojmë edhe këtë reformë. Jam i bindur se interesat politike do t’i lënë anash dhe përparësi do t’u japin interesave kombëtare” – tha kryeministri Mickoski.

Ai shtoi se LSDM-ja, në koalicion me Levicën, ka dorëzuar 13 mijë amendamente me qëllim që të pengojë votimin e bashkatdhetarëve në diasporë. Sipas tij, teksti i Kodit Zgjedhor ishte harmonizuar prej muajsh, por Levica në momentin e fundit refuzoi ta nënshkruajë propozimin, edhe pse, siç tha ai, ishin pranuar të gjitha kërkesat e saj.

Nga LSDM-ja iu përgjigjën me akuza se Mickoski po planifikon të realizojë një manipulim zgjedhor.

“Mickoski tani dëshiron të kalojë edhe një Kod Zgjedhor që hap hapësirë për një manipulim të ri zgjedhor. Ai kërkon të vendosë votimin elektronik të diasporës pa mekanizma të duhur kontrolli, verifikimi dhe garancie për fshehtësinë e votës. Ndërkohë që çdo qytetar që voton në vend kalon nëpër një procedurë të rreptë – verifikim të dokumentit personal, nënshkrim në listën zgjedhore dhe identifikim me gjurmë gishti – Mickoski dëshiron që për rreth 200 mijë votues potencialë në diasporë të mos vlejnë të njëjtat rregulla dhe të mos ketë asnjë kontroll”, deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Jovanka Trençevska.

Ajo theksoi se nuk ka asnjë arsye që kjo zgjidhje të miratohet me nxitim.

“Është paraparë që të fillojë të zbatohet vetëm nga viti 2029. Ka pasur mjaft kohë që Qeveria ta tërhiqte propozimin, të hapte një debat të mirëfilltë publik dhe të siguronte konsensus politik për rregulla zgjedhore që do të gëzonin besimin e të gjithëve. Por pushteti e refuzoi edhe këtë propozim të arsyeshëm” -theksoi Trençevska.

Edhe nga Levica sot akuzuan se pushteti u përpoq ta kalojë Kodin Zgjedhor pa një konsensus të vërtetë politik. Sipas Levicës, synimi është që Kodi Zgjedhor të “bjerë” pikërisht për çështjen e diasporës, në mënyrë që të mbetet në fuqi dispozita diskriminuese për reklamimin politik me pagesë, e cila, sipas tyre, dëmton vetëm këtë parti.

“Në vend të rregullave të barabarta për të gjithë dhe përmirësimit të modelit e procesit zgjedhor, VMRO-DPMNE po shtyn përpara një Kod Zgjedhor të hartuar sipas interesave të partive të mëdha politike. Me 3.500 amendamente, Levica i kundërvihet kësaj përpjekjeje për ta shtrembëruar edhe më tej procesin zgjedhor në favor të pushtetit. Kur nuk mund ta mposhtin të vetmen opozitë të vërtetë në mënyrë politike, përpiqen ta kufizojnë atë me ligj”.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter