Përbërja e re e Qeverisë duhet të votohet deri në mesin e korrikut

featured
Press Online
01 Korrik 2026, 10:17

Kryeministri Hristijan Mickoski ka finalizuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë. Propozimi me emrat e ministrave të rinj pritet t’i dorëzohet Kuvendit deri më 3 korrik, ndërsa deputetët do të vendosin për miratimin e tij në seancat e ardhshme.

Rikonstruksioni përfshin ndryshime në shtatë ministri, me emërime të reja, rokada ndërmjet resorëve dhe ndryshime në strukturën e ekzekutivit. Një nga risitë është emërimi i një ministri pa portofol nga komuniteti rom, ndërsa shfuqizohet Ministria për Qeverisje të Mirë, kompetencat e së cilës do t’i kalojnë Kabinetit të Kryeministrit.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, përbërja e Qeverisë mbetet e pandryshuar në numër, me gjithsej 24 anëtarë – kryeministrin dhe 23 ministra.

Sipas propozimit, Sasho Klekovski emërohet ministër i Shëndetësisë, pasi deri tani ka ushtruar detyrën e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Gjoko Velkovski propozohet ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa Ivan Stoilkoviç kalon në postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Exhjan Demir propozohet ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin e romëve.

Nga koalicioni VLEN, Jeton Shasivari propozohet ministër i Drejtësisë, Sedat Sulejmani ministër i Kulturës dhe Turizmit, ndërsa Agon Ferati zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Në kuadër të Lëvizjes ZNAM, Borçe Serafimovski propozohet ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa Goran Minçev do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.

Kryeministri Mickoski bëri të ditur se Ministria për Qeverisje të Mirë do të shfuqizohet, pas dorëheqjes së ministrit Arben Fetai, ndërsa kompetencat e saj do të kalojnë nën Kabinetin e Kryeministrit.

Ndërkohë, shumicës qeverisëse i bashkohet edhe Partia Demokrate e Turqve (PDT), e cila, sipas Mickoskit, do të përfaqësohet në ekzekutiv me një ministër pa portofol.

Propozimi për rikonstruksionin e Qeverisë pritet të shqyrtohet dhe të hidhet në votim në Kuvend gjatë ditëve në vijim.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter