Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për grabitjen e tre shtetasve të huaj, rast që kishte ndodhur një ditë më parë në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është bërë pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë e Stacionit Policor Jugu.
“Falë veprimeve intensive hetimore të ndërmarra nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë e Stacionit Policor Jugu, është arritur identifikimi dhe arrestimi i shpejtë i personave të dyshuar për këtë rast”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit janë N.K., 26 vjeç, dhe A.K., 26 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, gjatë arrestimit janë gjetur dhe sekuestruar sendet dhe paratë që dyshohet se ishin grabitur nga viktimat.
“Gjatë arrestimit, tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar sendet, si dhe paratë që dyshohet se janë grabitur”, njofton Policia.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.







