Ish-sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviç ka mbushur me elozhe kombëtaren e Francës pas fitores bindëse 3-0 ndaj Suedisë në 1/16-at e finales së Botërorit 2026, duke e cilësuar skuadrën e Didier Deschamps si favoriten kryesore për të fituar trofeun.
Në një prononcim për FOX, ku ai punon si komentator, Ibrahimoviç tha se ende nuk ka vënë re asnjë dobësi te “Les Bleus”.
“E thashë edhe para ndeshjes: ende nuk kam parë as dobësinë më të vogël te kjo kombëtare franceze”, u shpreh ai. Sipas legjendës suedeze, forca më e madhe e Francës qëndron te cilësia e jashtëzakonshme në repartin ofensiv.
“Secili nga sulmuesit e tyre mund ta vendosë ndeshjen. Luajtën një ndeshje shumë të mirë. Olise nuk shënoi, por ai ka një vizion loje që Dembélé dhe Mbappé nuk e kanë. Ai sheh mundësi që të tjerët nuk i shohin, edhe pse secili ka cilësi të ndryshme. Do të shohim deri ku do të arrijë Franca, por kjo skuadër të frikëson”, deklaroi Ibrahimoviç.
Në fund, ai e cilësoi treshen Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise si tre nga pesë futbollistët më të mirë në botë.
“Nga pesë lojtarët më të mirë në botë, tre janë në sulmin e Francës: Dembélé, Olise dhe Mbappé. Dy të tjerët mund të jenë Haaland dhe Yamal. Messi është në një nivel tjetër. Këta tre nuk kanë ego për të menduar se kush është numri një dhe punojnë edhe pa topin, gjë që është edhe më e rëndësishme. E dimë çfarë bëjnë kur e kanë topin, secili prej tyre mund ta vendosë një ndeshje i vetëm. Është vërtet mbresëlënëse”, përfundoi Ibrahimoviç.
Në fitoren ndaj Suedisë, Mbappé realizoi dy gola, Bradley Barcola shënoi një herë, ndërsa Michael Olise kontribuoi me dy asistime.







