Qeveria në detyrë ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime që lidhen me menaxhimin e financave publike dhe administrimin e pasurisë së konfiskuar.
Sipas njoftimit, ekzekutivi ka miratuar Raportin e Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2025.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për autorizimin e Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hapjen e një llogarie të dedikuar në kuadër të Llogarisë së Vetme të Thesarit, e cila do të mbajë emrin “Fondi i Konfiskimit”.
Sipas vendimit, kjo llogari do të përdoret ekskluzivisht për pranimin dhe evidentimin e të hyrave që burojnë nga konfiskimi i pasurisë me vendime gjyqësore të formës së prerë.
“Llogaria e dedikuar do të shërbejë vetëm për pranimin dhe evidentimin e të hyrave nga konfiskimi i pasurisë me vendim të formës së prerë”, thuhet në njoftim.







