Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) iu bashkua tre partnerëve të koalicionit qeveritar (VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM) si nënshkrues i propozim-ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat pritet të miratohen me një procedurë të përshpejtuar. LSDM-ja kishte braktisur më herët grupin punues për përgatitjen e ndryshimeve në Ministrinë e Drejtësisë, për shkak të shfuqizimit të njëanshëm të Qeverisë së Përzhinos pa konsensus, ndërsa sot edhe Levica refuzoi ta nënshkruajë dokumentin, përcjell PressOnline.al.
Këtë sqarim e dha nënkryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së në grupin punues, Antonio Milloshoski. Sipas tij, problemi ka lindur gjatë hartimit të dispozitave për reklamimin zgjedhor, ndërsa përgjegjësinë për këtë ai ia atribuoi tërësisht partisë Levica.
Ndryshimet do të dorëzohen si propozime të deputetëve, duke krijuar një situatë të pazakontë (e njohur edhe nga disa raste të mëparshme), ku BDI-ja do të jetë e vetmja parti opozitare që harmonizohet me Qeverinë për çështje të caktuara.
Për ndryshimet e propozuara pati sot edhe reagime të ashpra negative nga nëntë iniciativa të pavarura qytetare. (PressOnline.al)







