Tetovë, rritet numri i rasteve të dhunës në familje! Për më pak se gjashtë muaj 38 të akuzuar

featured
Press Online
29 Qershor 2026, 17:11

Dhuna në familje shënon rritje në rajonin e Tetovës. Për më pak se gjashtë muaj, në Prokurorinë e Tetovës janë evidentuar 38 raste të kësaj natyre. Në shumicën e rasteve, denoncuesit janë vetë viktimat, por nuk kanë munguar as dëshmitarët apo personat e tjerë që kanë parë dhunën dhe e kanë raportuar atë.

“Për më pak se gjashtë muaj, që nga fillimi i këtij viti, në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë janë pranuar kallëzime penale kundër gjithsej 38 personave për vepra penale të lëndimit trupor dhe rrezikimit të sigurisë të kryera gjatë dhunës në familje. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është evident një rritje e ndjeshme e numrit të lëndëve të tilla, ndërsa në ditë të caktuara regjistrohen edhe nga disa raste në ditë”, tha Prokuroria Themelore.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se dhuna në familje nuk shfaqet vetëm atëherë kur burrat sulmojnë bashkëshortet, por edhe anasjelltas. Ndërkaq, në rritje janë edhe rastet kur fëmijët ushtrojnë dhunë ndaj prindërve. Sipas policisë, ndër shkaktarët kryesorë janë konsumimi i alkoolit, bixhozi, problemet psikike si dhe kushtet e rënda ekonomike.

“Shkaktarët kryesorë të problemeve familjare apo dhunës në familje, si çdo herë, janë droga, alkooli, çrregullimet nervore dhe shkaqet ekonomike. Kështu që, edhe gjatë kësaj periudhe mbizotërojnë veprat të cilat janë kryer nga ana e bashkëshortëve ndaj bashkëshorteve të tyre, por kemi edhe raste të anasjella, pra nga ana e grave ndaj burrave të tyre. Gjithashtu, kemi vepra të cilat janë jo të rralla që ndodhin ndaj prindërve nga ana e fëmijëve, si dhe nga ana e prindërve ndaj fëmijëve të tyre, e kështu me radhë. Kështu që, Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës, përmes programeve dhe projekteve të ndryshme me shoqata të ndryshme joqeveritare, punon për mënjanimin dhe zvogëlimin e kësaj dukurie në shoqëri, si dhe për vetëdijesimin e qytetarëve që të mos i mbulojnë këto vepra të cilat kryhen. Kjo, që të mos vijë deri tek rasti si ai i kësaj periudhe, pra i tremujorit të parë të këtij viti, ku patëm edhe një viktimë në rajonin e Gostivarit, ku djali vrau babain e tij duke përdorur mjete të forta”, tha Fatmir Rexhepi

Megjithatë, dhuna në familje mbetet një dukuri që në shumë raste fshihet nga të afërmit ose nga vetë viktimat. Si nga Prokuroria, ashtu edhe nga SPB Tetovë, bëhet apel që këto raste të denoncohen me kohë, në mënyrë që të parandalohen lëndimet e rënda trupore apo tragjeditë ku merret jeta e njeriut, siç ishte rasti i fundit në Gostivar.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter