Pas rikonstruimit të Qeverisë, VLEN do të ketë gjashtë ministri, njoftoi Bekim Sali, sekretar i përgjithshëm i VLEN-it dhe zëvendëskryeministër aktual, njëherësh ministër për Çështje Evropiane, përcjell PressOnline.al.
VLEN heq dorë nga Ministria e Shëndetësisë, e cila deri më tani drejtohej nga Azir Aliu, ndërsa merr drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Këto resore deri tani udhëhiqeshin nga Ivan Filkov i ZNAM-it, Zoran Ljutkov nga VMRO-DPMNE dhe Ivan Stoiljkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve.
Sipas informacioneve jozyrtare të Telma-s, VLEN për ministër të ri të Drejtësisë do të propozojë profesorin Jeton Shasivari, profesor i së drejtës kushtetuese dhe administrative në Universitetin e Evropës Juglindore. Ndërkaq, për ministër të Kulturës pritet të propozohet Sedat Sulejmani, i cili deri më tani ushtronte funksionin e zëvendësministrit, përcjell PressOnline.al.
Sipas burimeve partiake, një kuadër i VLEN-it do të drejtojë edhe Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Për këtë post pritet të propozohet Agon Ferati, ish-nënkryetar i Lëvizjes për Reforma në PDSH.
Bekim Sali do të vazhdojë të mbetet zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Muhamet Hoxha do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Mjedisit Jetësor, ndërsa Besar Durmishi Ministrinë e Ekonomisë.
“Në paketën për pjesëmarrje në Qeveri janë dakorduar ministritë e Mjedisit Jetësor, Ekonomisë, Drejtësisë, Kulturës, Çështjeve Evropiane dhe Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Ende nuk ka emra përfundimtarë për Drejtësinë dhe Kulturën, por do të jenë dy emra të rinj. Mendoj se ministrat aktualë po performojnë mirë në Qeveri, jemi të kënaqur si VLEN dhe ata do të vazhdojnë punën e tyre. Shëndetësia nuk është pjesë e paketës sonë”, deklaroi Bekim Sali para gazetarëve gjatë një tubimi partiak.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se të martën do t’i bëjë publike emrat e rinj të ekzekutivit. (PressOnline.al)


