Rama: Halli i drejtë i qytetarëve nuk duhet të bëhet lëndë djegëse për ata që ushqejnë protestën

featured
Press Online
28 Qershor 2026, 12:40

Kryeministri Edi Rama, në episodin më të fundit të podcast-it të tij “Flasim”, u ndal te problematikat e funksionimit të administratës publike dhe ndikimi i tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.

Duke iu referuar një mesazhi të një qytetari, Rama tha se shqetësimet e ngritura janë legjitime dhe se askush nuk duhet të detyrohet t’i drejtohet kryeministrit për probleme që, sipas tij, duhet të zgjidhen nga institucionet përkatëse.

Ai theksoi se çdo mesazh i qytetarëve ndiqet dhe i përcillet autoriteteve kompetente, ndërsa nënvizoi se edhe në rastin konkret problemi ishte referuar më herët te Bashkia e Tiranës.

Kryeministri theksoi se në disa raste administrata nuk arrin të përmbushë detyrat e saj, duke krijuar vonesa dhe duke e zhvendosur barrën e zgjidhjes te qytetarët dhe më pas te niveli politik.

“Askush nuk duhet detyruar t’i shkruajë kryeministrit, sepse institucionet që paguhen për t’i adresuar këto probleme s’e kanë bërë punën e tyre. Por, nga ana tjetër, unë personalisht çdo mesazh që marr e ndjek; siç e thua edhe në mesazhin tënd, më keni shkruar një vit më parë dhe unë e kam çuar te autoriteti kompetent”, iu drejtua Rama – qytetarit.

“Tani, unë nuk dua fare të justifikohem. Këtë mesazh e nxora për të ndarë të vërtetën time, thjesht që unë kam të njëjtin shqetësim absolutisht dhe e kam çuar mesazhin para një viti te Bashkia e Tiranës”, tha Rama.

“Tani, ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që “funksionon me defibrilator, me oksigjen”, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe. Por, përtej bashkisë, ne kemi probleme me administratën, patjetër, dhe kur administrata nuk e mban barrën që i takon, atëherë barra përfundon mbi shpirtin dhe mbi mendjen e qytetarit, e familjes, e njerëzve që duhet të marrin përgjigje”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se një hall i drejtë nuk duhet të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë protestën.

“E kuptoj që kur gjëja vjen te vetja, ka arritur fundi i durimit, por, nga ana tjetër, nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë këtë protestë, vazhdojnë e ushqejnë këtë rrëmujë, më shumë shpirtërore sesa fizike, duke bërë dëm pas dëmi, jo duke ndihmuar që gjërat të zgjidhen. Ata janë njerëz që ushqehen me problemet e të tjerëve dhe janë njerëz, janë subjekte, janë organizata, janë edhe aktorë të tjerë jashtë vendit që ushqehen me problemet e të tjerëve”, tha Rama.

“Problemi juaj dhe i gjithë atyre si ju që shkojnë atje ose që janë të lidhur me atë gjë, nuk është që “t’i jepni karburant” politikës apo qëllimeve të tyre, sepse ata nuk kërkojnë zgjidhje. Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, sepse ata duan të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen dhe iluzionin që çdo plagë e një qytetari është prova se këtu duhet rrëzuar gjithçka dhe Shqipëria duhet të fillojë nga e para”, theksoi Rama.

“Unë kam detyrimin të dëgjoj njeriun, por të mos bëhem peng i atyre që flasin në emrin tënd. Unë e shoh protestën e njerëzve të ndershëm, e njerëzve që nuk janë “karburant” për industrinë e halleve, si një gjë shumë të respektueshme, shumë të mirëkuptueshme dhe revoltuese për mua; tek unë ajo funksionon”, shtoi Rama.

Rama iu drejtua qytetarëve duke thënë se nuk duhet ta falin hallin e tyre.

“Njëkohësisht, do t’ju kërkoja diçka të gjithëve ju që jeni në këtë situatë: mos e falni hallin tuaj askund. Mos ia falni administratës dhe, nëse keni nevojë për mua, unë jam këtu të luftoj bashkë me ju, por mos ia falni në asnjë mënyrë atyre që duan t’i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj. Sepse zgjidhjet kurrë nuk vijnë nga njerëzit që ndezin zjarrin e zemërimit, por nga ata që, pavarësisht të gjitha mangësive dhe gabimeve, mbajnë detyrimin për të “fikur” çdo vatër halli, duke i qëndruar mbi kokë”, tha Rama.

“Unë bëj më të mirën time të mundshme. Unë jam shumë krenar për shumëçka që administrata jonë publike ka arritur dhe për mënyrën se si është transformuar në krahasim me të shkuarën, por jam jashtëzakonisht po kaq i hidhëruar dhe i neveritur me atë çka ndodh me administratën në vende dhe në raste të caktuara”, shtoi Rama.

“Por zgjidhja nuk është ta “hedhim në erë”. Zgjidhja është ta korrigjojmë bashkërisht. Operacionet e mëdha janë bërë. Këtu çështja është për të vazhduar trajtimin e plagëve dhe për të vazhduar trajtimin e atyre pikave që kanë infeksion”, shtoi Rama.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter