Joanikije politizon liturgjinë në Graçanicë me pretendime që Kosova është “vatër e përbashkët e kombit serb”

featured
Press Online
28 Qershor 2026, 14:53

Mitropoliti i Malit të Zi dhe Bregdetit, Joanikije, ka shfrytëzuar ceremoninë fetare të mbajtur në Manastirin e Graçanicës për të përcjellë mesazhe politike dhe kombëtare, duke e politizuar liturgjinë me deklarata mbi statusin historik dhe shpirtëror të Kosovës.

Në fjalimin e tij, ai pretendoi se Kosova është “vatër e përbashkët e popullit serb, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe historik”, duke e paraqitur këtë si një amanet që, sipas tij, duhet të kultivohet nga të gjithë serbët përmes dashurisë ndaj Kosovës, faltoreve të saj dhe, siç u shpreh ai, “popullit të kryqëzuar”.

Gjatë fjalimit, Joanikije e tejkaloi karakterin fetar të ceremonisë, duke promovuar narrativa politike e historike që lidhen me pretendimet serbe ndaj Kosovës. Ai e përdori Vidovdanin për të përsëritur interpretimin tradicional serb të Betejës së Kosovës, duke e paraqitur atë ekskluzivisht si një përballje të popullit serb me ushtrinë osmane dhe duke anashkaluar kontributin e popujve të tjerë të Ballkanit në atë betejë.

“Duke grumbulluar shumë virtyte në shpirtin e tij, ai kishte autoritetin për t’i bashkuar edhe fisnikët serbë, të cilët ishte e vështirë të bashkoheshin si në të kaluarën, ashtu edhe në kohët e sotme. Por, Princi Lazar kishte autoritet si njeri plot virtyte dhe dashuri, duke bashkuar fisnikët dhe mbarë popullin. Ai pati guximin dhe forcën t’i kundërvihej armikut të urryer, pushtuesit që përparonte pandalshëm si stuhi”.

Në vazhdim të fjalimit, ai e thelloi narrativën politike, duke e portretizuar Princin Lazar si mbrojtësin e vetëm të Serbisë dhe duke përdorur gjuhë me ngarkesë të fortë historike e kombëtare.

“Askush nuk mund ta ndalte derisa arriti në Fushën e Kosovës, në fushëbetejën e përgjakshme, ku e priti Shën Princi Lazar me ushtrinë e tij. Princi u flijua dhe nuk lejoi që pushtuesi i urryer ta shkelte Serbinë si vendet e tjera. Ai dha jetën, së bashku me heronjtë, për kryqin e shenjtë dhe lirinë e artë”, tha ai, duke promovuar narrativën tradicionale serbe për Betejën e Kosovës dhe duke e shndërruar fjalimin fetar në një platformë për mesazhe me përmbajtje politike dhe identitare.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter