Mbi 35 mijë persona konsiderohen përdorues aktivë të substancave narkotike

featured
Press Online
26 Qershor 2026, 22:24

Mbi 35 mijë persona konsiderohen përdorues aktivë të substancave narkotike në Kosovë. Edhe më alarmues është fakti se në mesin e tyre ka të rinj nën moshën 16-vjeçare. RTK kishte transmetuar edhe hulumtimin “E Vërteta për Drogën”, ku një përdorues rrëfen momentin kur nisi rrugëtimin drejt varësisë – një vendim që, siç thotë ai, ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

“Kam qenë në klasën e gjashtë kur kam fillu me e përdorë. Tash jam 16 vjeç dhe ende vazhdoj me e përdorë”, tha një përdorues i substancave narkotike.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Drogat dhe Trafikimit të Paligjshëm të tyre, u prezantuan të dhëna shqetësuese nga hulumtimet e zhvilluara me të rinjtë në Kosovë. Rezultatet tregojnë se një i ri ka nevojë për vetëm 15 minuta kërkim për të rënë në kontakt me një shitës të narkotikëve, duke dëshmuar qasjen jashtëzakonisht të lehtë në substancat narkotike.

Ndërkohë, me gjithë numrin e madh të përdoruesve, Kosova vazhdon të mos ketë asnjë qendër rehabilitimi për personat me varësi nga drogat. Kjo, ndonëse themelimi i një qendre të tillë është paraparë që nga viti 2009 në strategjitë kombëtare kundër narkotikëve.

“Unë kam marrë zotimet edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, edhe nga Ministria e Shëndetësisë, se gjatë kësaj periudhe kemi qenë në diskutime të vazhdueshme. Përveç hapësirës për këtë qëllim, na duhen edhe profesionistët që do të merren me këto raste. Jam shumë optimiste se në të ardhmen e afërt do ta kemi një qendër të tillë rehabilituese, sepse, me problemet me të cilat përballemi, është e papranueshme që ende nuk e kemi një të tillë”, tha Albulena Haxhiu, u.d. Presidente e Kosovës

Edhe organizatat që punojnë drejtpërdrejt me përdoruesit e drogave thonë se situata është përkeqësuar, ndërsa llojet e substancave dhe grupmoshat e prekura po ndryshojnë vazhdimisht.

“Kemi problem edhe me përdorimin e kokainës te persona të moshave të ndryshme. Çdo person që përdor drogë tri herë ose më shumë brenda javës, ne e konsiderojmë përdorues problematik të drogës”, deklaroi Safet Blakaj, drejtor i Organizatës Labyrinth.

Përveç përdorimit, autoritetet po përballen edhe me kultivimin e narkotikëve brenda vendit.

“Një fenomen tjetër me të cilin Policia ballafaqohet shpesh është kultivimi i kanabisit. Kohëve të fundit kemi pasur disa raste të kultivimit në ambiente të hapura, si në Pejë dhe Podujevë, por ka edhe tentativa për kultivim të brendshëm të kanabisit”, tha Irfan Bunjaku, toger, Drejtoria Kundër Drogave.

Sipas organizatës Labyrinth, Kosova ka tejkaluar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për nga rritja e numrit të përdoruesve të drogave, duke e bërë këtë fenomen një nga sfidat më serioze për shëndetin publik dhe sigurinë në vend./RTK

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter