Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi ka komentuar reagimet pas artikullit në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) lidhur me rastin e njohur si “Sarajevo Safari”, duke theksuar se e vërteta për këtë çështje duhet të zbardhet përmes hetimeve penale dhe jo përmes polemikave mediatike.
Fetoshi, nëpërmjet një postimi në Facebook, thotë se FAZ dhe gazetari Michael Martens kanë të drejtë të kërkojnë standarde të larta të gazetarisë hulumtuese, por, sipas tij, çështja nuk mund të reduktohet në cilësinë e një libri apo dokumentari.
Tutje, Fetoshi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka interpretuar artikullin e FAZ-së si argument për mbylljen e çështjes, ndërsa shton se përgjegjësia për zbardhjen e rastit i takon hetimeve penale që, sipas tij, po zhvillohen nga Prokuroria e Milanos në bashkëpunim me disa shtete evropiane.
Fetoshi vlerëson se debati i zhvendosur në mediat gjermane pas publikimit të artikullit përbën ndërhyrje në procesin e drejtësisë dhe, sipas tij, po keqpërdoret nga Serbia.
Ai thekson se pyetja thelbësore nuk është numri i personave që mund të kenë marrë pjesë në krimin e pretenduar, por nëse ka ndodhur qoftë edhe një rast i vetëm.
Sipas Fetoshit, vetëm përfundimi i hetimeve penale mund të japë përgjigje përfundimtare mbi pretendimet që lidhen me rastin “Sarajevo Safari”, ndërsa polemikat publike, sipas tij, rrezikojnë të dëmtojnë zbardhjen e së vërtetës.







