Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Partisë Laburiste në Britani ka miratuar kalendarin për zgjedhjen e liderit të ri të partisë, duke hapur rrugën që Andy Burnham të marrë drejtimin e saj që më 17 korrik.
Sipas mediave britanike, procesi i nominimeve do të hapet brenda dy javëve të ardhshme. Nëse vetëm një kandidat arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme prej 20% të deputetëve laburistë në Parlament, ose 81 nënshkrime, ai do të shpallet automatikisht lider i partisë tre javë më vonë.
Aktualisht, Andy Burnham konsiderohet kandidati kryesor dhe favorit për të marrë drejtimin e Laburistëve. Përveç mbështetjes së deputetëve, ai duhet të sigurojë edhe përkrahjen e të paktën tre organizatave të lidhura me partinë, ku dy prej tyre duhet të jenë sindikata, ose alternativisht mbështetjen e 5% të degëve lokale të Partisë Laburiste.
Sipas vlerësimeve, Burnham pritet ta sigurojë këtë mbështetje pa vështirësi, veçanërisht përmes sindikatave, çka mund të përshpejtojë procesin dhe t’i mundësojë atij shpalljen si lider i ri më 17 korrik.
Burime pranë partisë bëjnë të ditur se deri tani nuk ka sinjale për kandidatë të tjerë seriozë në garë. Nëse situata mbetet e pandryshuar gjatë javëve të ardhshme, atëherë nuk do të ketë nevojë për votim të anëtarësisë në muajin gusht dhe Burnham do të marrë drejtimin e Laburistëve pa balotazh.







