Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer do të vazhdojë të mbetet deputet edhe pasi të largohet nga detyra e kreut të qeverisë, ka konfirmuar zëdhënësi i tij zyrtar në Downing Street.
Deklarata vjen mes spekulimeve se Starmer mund të ndiqte shembullin e disa ish-kryeministrave britanikë, të cilët kanë dhënë dorëheqje edhe nga posti i deputetit pas largimit nga pushteti, duke shkaktuar zgjedhje të pjesshme në zonën e tyre elektorale në Londrën qendrore.
Megjithatë, sipas zëdhënësit të tij, Starmer nuk ka ndërmend të largohet nga Parlamenti dhe do të vazhdojë të përfaqësojë zonën e tij edhe pas përfundimit të mandatit si kryeministër, shkruan skynews.
Gjatë mbledhjes së kabinetit, Starmer u ka thënë ministrave se, ndonëse “ky është fundi i udhëtimit tim”, nuk është “fundi i tuajit”, duke theksuar vazhdimësinë e punës së qeverisë.
Zëdhënësi shtoi gjithashtu se Starmer dëshiron që qeveria e ardhshme laburiste “të ketë sukses”, duke nënvizuar angazhimin e tij për stabilitet politik edhe pas largimit nga posti i kryeministrit.
Ndryshe, presioni mbi udhëheqësin e Laburistëve u rrit për shkak të sondazheve të dobëta dhe rezultateve të këqija në zgjedhjet lokale e rajonale, duke çuar në dorëheqje ministrash dhe dobësim të qeverisë.
Pas humbjeve dhe rritjes së pakënaqësisë brenda partisë, Keir Starmer përfundimisht arriti në përfundimin se nuk kishte më mbështetje të mjaftueshme për të vazhduar me autoritetin e tij







