Dy javë pas martesës me aktorin Callum Turner në Villa Valguarnera të Siçilisë, Dua Lipa ndau fotografitë nga ceremonia madhështore, duke zbuluar edhe fustanin e saj të nusërisë, një krijim unik i Chanel Haute Couture. Fustani, i realizuar posaçërisht për këngëtaren, shënon edhe krijimin e parë të nusërisë nga drejtori artistik i Chanel, Matthieu Blazy. Dizajni kishte një siluetë elegante me dekolte të rrumbullakët dhe shpinë të hapur, të zbukuruar me detaje që imitonin bizhuteritë.

I gjithë fustani ishte punuar me dorë dhe përmbante plot 480 mijë rruaza të qepura nga Atelier Montex, ndërsa detajet dekorative kërkuan më shumë se 1.100 orë punë nga mjeshtrit e Lesage. Pamja përrallore plotësohej nga një fund me bisht dy metra, i zbukuruar me 25 mijë pupla të realizuara nga Lemarie, si dhe nga një vello prej tyli gjashtë metra të gjatë, e qëndisur po ashtu me dorë.

Këpucët e bardha prej sateni ishin krijuar posaçërisht nga Massaro, një tjetër shtëpi prestigjioze që bashkëpunon me Chanel. Sipas shtëpisë franceze të modës, ky krijim erdhi si rezultat i marrëdhënies së ngushtë mes Dua Lipës dhe Chanel, duke vënë në pah mjeshtërinë dhe traditën e modës së lartë. Gjatë festimeve të dasmës, këngëtarja kishte zgjedhur edhe veshje të tjera të personalizuara, përfshirë një kostum Schiaparelli për ceremoninë civile në Londër dhe një fustan Bottega Veneta për festën para dasmës në Siçili.
Vetëm pak ditë pas dasmës së tyre përrallore në Sicili, Dua Lipa dhe Callum Turner, duket se janë gati për një kapitull të ri në jetën e tyre. Ylli i muzikës pop, 30 vjeçe dhe aktori 36-vjeçar do të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara për rreth shtatë muaj, ndërsa Turner përgatitet për xhirimet e ribërjes së filmit horror Possession. Aktori, i cili do të ndajë ekranin me Tom Hanks dhe Margaret Qualley, tregoi se profesioni i tyre i detyron shpesh të jetojnë mes vendeve të ndryshme.







