Dy shtetase të Kolumbisë kanë raportuar në Polici se kanë qenë viktima të një grabitjeje në orët e para të së premtes në qendër të Prishtinës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 00:50 në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku pesë persona të dyshuar, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, dyshohet se ua kanë marrë një telefon mobil dhe 700 euro para të gatshme.
Policia ka bërë të ditur se nga rasti nuk raportohet për persona të lënduar.
Lidhur me ngjarjen janë iniciuar hetimet dhe autoritetet po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.







