“Zvërneci”, Rama për median italiane: Investimi, duke zbatuar standartet e BE-së

featured
Press Online
17 Qershor 2026, 05:31

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sërish se si qëndron e vërteta mbi çështjen e Zvërnecit.

Në një intervistë për Vanity Fair Italia, kreu i qeverisë shprehet se ligji i ndryshuar për zonat e mbrojtura nuk erdhi prej investimit të Kushner,  por si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ne e kemi përshtatur legjislacionin tonë me standardet europiane që parashikojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Ka zona të paprekshme, si delta e lumit Vjosa, dhe zona ku mund të ndërtohet, gjithmonë duke respektuar standardet e BE-së”, tha Rama.

Sqaroi gjithashtu dhe se si qëndron historia e çështjes së pronësisë së bregdetit të Zvërnecit.

“Tani transaksioni është pezull derisa të sqarohet pronësia e ligjshme e tokave, që në Shqipëri mbetet një çështje delikate që nga rënia e regjimit dhe rishpërndarja e titujve të pronësisë. Sapo të sqarohet pronësia, shuma do t’i paguhet atij që i takon”, tha më tej Rama.

Ndërkohë sa i përket Ishullit të Sazanit edhe një herë bëri të ditur se qeveria nuk ka ndërmend ta shesë.

“Është ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit. Dhe nuk ka asnjë synim për ta shitur. Po negociojmë një partneritet. Më pas do të nisin analizat mjedisore për t’u siguruar që natyra të mbrohet”, u shpreh Edi Rama.

I pyetur sa i përket kërkesws së protestuesve për dorëheqjen, Kryeministri Edi Rama shpjegoi se do të largohet nga detyra vetëm kur Shqipëria të bëhet pjesë e unionit.

“Për sa kohë do të ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej vërtet në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqje”, tha ai.

Prej më shumë se dy javësh, qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në protesta ku kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe largimin e Kryeministri Rama.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter