Irani: Marrëveshja s’ka marrë formë! Trump do bëjë publik draftin para firmosjes në Zvicër

featured
Press Online
16 Qershor 2026, 15:12

“Një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës nuk është arritur ende.” Kështu ka bërë me dije presidenti iranian pavarësisht se kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump festoi memorandumin e mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit.

“Ajo për të cilën është rënë dakord është një hap i rëndësishëm drejt ndalimit të luftës dhe fillimit të negociatave, dhe një marrëveshje përfundimtare ende nuk ka marrë formë. Republika Islamike e Iranit është përgatitur për të gjitha opsionet dhe fokusi i qeverisë, me ose pa marrëveshje është shërbimi i sinqertë ndaj popullit. Kombi iranian ka mësuar nga Imami i tij martir të mos i nënshtrohet poshtërimit”, tha Pezeshkian.

Ndërkohë zëvendëspresidenti amerikan  JD Vance ka thënë se Donald Trump mund të vendosë t’a bëjë publike para ditës së premte, marrëveshjen kornizë për t’i dhënë fund luftës me Iranin, e cila u nënshkrua në mënyrë digjitale një ditë më parë .

Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet zyrtarisht gjatë një ceremonie në Gjenevë të Zvicrës më 19 qershor.

Duke folur për Fox News, Vance theksoi se marrëveshja bazohet plotësisht në përmbushjen e kushteve, duke bërë të qartë se Irani do të ketë qasje në fondet për rindërtimin e vendit, vetëm nëse i respekton plotësisht kushtet e marrëveshjes.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe se ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter