Në vend të Kodit të ri Zgjedhor, sërish ndryshime “kozmetike”

featured
Press Online
15 Qershor 2026, 09:33

Kuvendi, në vend që të shkojë me një Kod të ri Zgjedhor, me shumë gjasë do të vazhdojë me ndryshime të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimit të grupit punues. Deri më tani janë harmonizuar rreth 30 rekomandime. Megjithatë, pothuajse është e sigurt se edhe me Kodin e ri Zgjedhor nuk do të ketë ndryshim të modelit zgjedhor sa i përket numrit të njësive zgjedhore dhe do të mbetet pa lista të hapura, që ishte kërkesa kryesore e partive më të vogla. Kjo do të thotë se edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kandidatët për deputetë do të garojnë për një vend në Kuvend në kuadër të gjashtë njësive zgjedhore, informon PressOnline.al.

Mbetet e paqartë nëse Kuvendi do ta miratojë Kodin e ri Zgjedhor, i cili është pjesë e agjendës reformuese, nëse LSDM-ja, pasi u largua nga grupi punues, vendos që përmes të ashtuquajturit filibastering ta bllokojë miratimin e rregullave zgjedhore.

Nga grupi punues informojnë se, përveç harmonizimit rreth rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, përfaqësuesit e partive parlamentare kanë arritur konsensus edhe për rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, si dhe për rekomandimet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Edhe pse shumica e partive nuk janë kundër ndryshimit të modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore, dallimet qëndrojnë te pragu i nevojshëm për hyrje në Kuvend, por edhe te mënyra se si diaspora të përfshihet në kuadër të një njësie zgjedhore, në mënyrë që pragu të jetë më i arritshëm dhe dalja në votime më e madhe.

Përshtypja është se vështirë do të arrihet konsensus, pasi Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Zijadin Sela, propozon ndryshim të modelit zgjedhor jo në një, por në tetë njësi zgjedhore, të cilat do të përputheshin me tetë rajonet planore. Sipas propozimit të ASH-së, numri i deputetëve që zgjidhen në secilën njësi zgjedhore do të përcaktohej proporcionalisht me numrin e përgjithshëm të popullsisë në atë rajon. Kështu, në Rajonin e Shkupit do të zgjidheshin 37 deputetë, në Rajonin e Pollogut – 20, në Rajonin Jugperëndimor – 14, në Rajonin e Pellagonisë – 12, në Rajonin Verilindor – 11, në Rajonin e Vardarit – 8, ndërsa në Rajonin Juglindor dhe atë Lindor – nga nëntë deputetë.

Partitë më të mëdha, ndërkaq, debatojnë për atë se sa duhet të jetë pragu zgjedhor nëse shkohet me një njësi zgjedhore. Partitë më të vogla kërkojnë të mos ketë prag zgjedhor ose ai të jetë maksimum 2,5 për qind. BDI propozon prag zgjedhor prej 5 për qind nga votuesit e regjistruar, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që pragu të jetë në interval prej 3,5 deri në 5 për qind. Ndaj kërkesës për prag zgjedhor prej pesë për qind ka pasur vërejtje se në një rast të tillë as vetë propozuesi, BDI-ja, nuk do të siguronte hyrje në Kuvend.

Çfarë propozohet për financimin e partive?

Nëse partitë arrijnë të dakordohen për modelin zgjedhor dhe censusin, ato lehtë do të merren vesh për listat e hapura, pasi askush nuk i kundërshton ato. VMRO-DPMNE pranon një njësi zgjedhore, por kërkon të mundësohet mënyrë më e lehtë e votimit për diasporën, përkatësisht votim elektronik për diasporën me mbrojtje biometrike të votave. Në këtë mënyrë rritet baza e votave dhe pragu bëhet më i arritshëm.

Partitë shpresojnë në kompromis për reklamimin e paguar politik, pasi në zgjedhjet e fundit Levica mbeti pa financa, edhe pse ka gjashtë deputetë, ndërsa ZNAM mori pjesë nga “torta” e VMRO-DPMNE-së. Sipas Kodit aktual Zgjedhor, financimi tani është 45 për qind për dy partitë më të mëdha të pushtetit dhe 45 për qind për dy partitë më të mëdha opozitare. Për partitë parlamentare ndahen 7 për qind, ndërsa 3 për qind për partitë joparlamentare.

VMRO-DPMNE propozon që 96 për qind e parave të shpërndahen sipas numrit të deputetëve për partitë parlamentare, ndërsa katër për qind të ndahen për partitë joparlamentare. Këtë e kundërshton BDI-ja, pasi do të duhej të merrte para për 18 deputetë. Propozimi i BDI-së është nga 43 për qind për partitë më të mëdha të pushtetit dhe opozitës, gjashtë për qind për ZNAM-in dhe Levicën, katër për qind për partitë parlamentare pa grupe parlamentare dhe katër për qind për partitë joparlamentare. Për këtë çështje partitë do të vazhdojnë të bisedojnë.

Kërkohet zgjidhje edhe për shumë media të sapokrijuara

Grupi punues po kërkon zgjidhje edhe për problemin e regjistrimit të shumë mediave në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për reklamim të paguar politik gjatë fushatave zgjedhore, përkatësisht për dukurinë që menjëherë para zgjedhjeve të shfaqen portale vetëm për të marrë para, ndërsa pas zgjedhjeve të shuhen. BDI ka kundërshtuar çfarëdo ndryshimi në këtë pjesë, por partitë e tjera janë për ndryshim dhe me shumë gjasë marrëveshja për këtë çështje do të jetë që të merren parasysh vetëm portalet që ekzistojnë të paktën 18 muaj para zgjedhjeve, që janë në regjistër dhe që kanë domen “.mk”.

Nga pushteti thonë se është hendikep fakti që Kodi Zgjedhor po dakordohet pa LSDM-në. Nuk dihet nëse ata do të shkojnë me filibastering apo ndoshta me “abstenim konstruktiv”. Pushteti apelon që LSDM-ja të mos e bllokojë Kodin Zgjedhor, i cili është pjesë e agjendës reformuese.

LSDM-ja u largua nga grupi punues pasi pushteti e shfuqizoi qeverinë teknike pa konsensus. Nga partia e Venko Filipçes thonë se vendim do të marrin pasi ta shohin propozimin për Kodin e ri Zgjedhor dhe atë që është dakorduar në të. LSDM përsërit se të gjitha opsionet janë në tavolinë, përfshirë edhe filibasteringun për bllokimin e Kodit Zgjedhor.

Kodi Zgjedhor është një nga pesë ligjet që, sipas Rregullores së re të Kuvendit, mund të bllokohet, përkatësisht për të nuk ka kufizim kohor të diskutimit. Kjo do të thotë se opozita mund të dorëzojë shumë amendamente, të diskutojë pafundësisht, të heshtë për orë të tëra… në mënyrë që ligji të mos kalojë kurrë.

Mosrealizimi i propozimit për një njësi zgjedhore me shumë gjasë sërish do të shkaktojë reagim te PLD-ja. Nga kjo parti paralajmëruan se edhe ata do ta braktisin grupin punues nëse nuk ka ndryshim të modelit zgjedhor – një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. Nga PLD-ja paralajmëruan se nuk do ta bllokojnë ligjin, por se do të dorëzojnë amendamente për ndryshime thelbësore, si dhe propozim-ligj për vendosjen e një njësie zgjedhore dhe listave të hapura.

Nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se grupi punues i ka shqyrtuar çështjet e mbetura të hapura lidhur me përgatitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit Zgjedhor. Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve që paraprakisht kishin dorëzuar propozime, mendime dhe rekomandime në kuadër të procesit të përgatitjes së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, për të cilat nevojiteshin sqarime shtesë.

“Nga java e ardhshme do të përfshihen zgjidhjet e harmonizuara në tekstin e propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, i cili do t’u dorëzohet anëtarëve të Grupit Punues për shqyrtim shtesë dhe vërejtje eventuale”, thonë nga Ministria. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter