Ukraina pritet të kërkojë edhe 20 miliardë dollarë financim ushtarak nga aleatët e saj perëndimorë gjatë një takimi që do të zhvillohet javën e ardhshme, me synimin për të forcuar pozicionin e saj në fushën e betejës kundër Rusisë.
Sipas një burimi ukrainas të cituar nga mediat ndërkombëtare, kërkesa do të paraqitet të enjten në mbledhjen e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i njohur edhe si “Grupi Ramstein”, ku marrin pjesë më shumë se 50 vende që koordinojnë mbështetjen ushtarake dhe ekonomike për Kievin.
Ngadalësim i avancimit rus
Autoritetet ukrainase vlerësojnë se forcat ruse kanë ngadalësuar ndjeshëm përparimin e tyre gjatë muajve të fundit.
Sipas Kievit, një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim kanë luajtur sulmet me dronë me rreze të mesme veprimi, të cilat kanë dëmtuar linjat e furnizimit dhe logjistikën e ushtrisë ruse.
Ndërkohë, dronët ukrainas me rreze të gjatë vazhdojnë të godasin infrastrukturën energjetike strategjike të Rusisë.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin deklaroi javën e kaluar gjatë Forumi Ekonomik Ndërkombëtar se forcat ruse vazhdojnë të avancojnë çdo ditë në front, ndërsa shtoi se ekonomia ruse nuk përballet me rreziqe serioze, megjithëse pranoi se sulmet ukrainase kanë shkaktuar dëme.
Sipas të njëjtit burim, Kievi do t’u kërkojë disa aleatëve të kontribuojnë me shuma që variojnë nga 2 deri në 6 miliardë dollarë secili, qoftë në formën e ndihmës direkte apo përmes kredive.
Kjo kërkesë u raportua fillimisht nga Politico dhe pritet të jetë një nga temat kryesore të takimit të ardhshëm të vendeve që mbështesin ushtarakisht Ukrainën.







