Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup e ka mbyllur vitin 2025 me një humbje prej rreth 1,3 milionë eurosh, pavarësisht se ka në dispozicion më shumë se një mijë të punësuar, raporton Faktori duke iu referuar raportit financiar të ndërmarrjes, përcjell PressOnline.al.
Sipas të dhënave, në ndërmarrje janë evidentuar 1.050 të punësuar, të cilët përbëjnë barrën më të madhe për buxhetin e saj. Në raportin financiar thuhet se këto shpenzime përbëjnë 47,52 për qind të të ardhurave totale nga aktiviteti dhe 45,80 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të ndërmarrjes gjatë vitit 2025.
Shpenzimet totale për personelin kanë arritur në rreth 13,9 milionë euro, që paraqet një rritje prej më shumë se 11 për qind krahasuar me vitin paraprak. Gjatë të njëjtës periudhë është regjistruar edhe një rritje e pagave bruto prej rreth 9 për qind.
Llogaritjet tregojnë se pagesa mesatare mujore neto e rregullt për një të punësuar arrin në rreth 535 euro. Nëse merren parasysh të gjitha pagat neto dhe kompensimet, mesatarja arrin në rreth 688 euro në muaj për punonjës.
Nga ana tjetër, kostoja reale që ndërmarrja ka për një të punësuar, duke përfshirë kontributet, tatimet dhe detyrimet e tjera, arrin afërsisht në 1.100 euro në muaj.
Pavarësisht numrit të madh të të punësuarve dhe mjeteve të konsiderueshme që ndahen për ta, aktiviteti i rregullt i ndërmarrjes ka përfunduar me humbje. Të ardhurat totale nga veprimtaria kanë qenë rreth 28,6 milionë euro, ndërsa shpenzimet kanë arritur pothuajse në 30 milionë euro.
Këto shifra ngrenë pikëpyetje mbi efikasitetin e funksionimit të ndërmarrjes, e cila menaxhon një nga sistemet më të rëndësishme publike në kryeqytet. Për më tepër, krahas stafit të vet, “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” angazhon edhe kompani të jashtme për kryerjen e disa shërbimeve. (PressOnline.al)







