Populli paguan, MPB hesht – kontratat për prodhimin e pasaportave shpallen “konfidenciale”

featured
Press Online
11 Qershor 2026, 11:38

Prodhimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve gjatë pesë viteve të fundit i ka kushtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) 29 milionë euro, ndërsa qytetarët për pajisjen me këto dokumente kanë paguar gjithsej 73 milionë euro. Diferenca ndërmjet shumës së paguar nga MPB-ja dhe asaj që kanë paguar qytetarët arrin në 44 milionë euro, thuhet në raportin më të ri të Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ), përcjell PressOnline.al.

Pjesa më e madhe e parave të paguara nga qytetarët lidhet me pasaportat. Vetëm për lëshimin e pasaportave, gjatë pesë viteve të fundit janë paguar plot 60 milionë euro.

Dokumentet personale prodhohen nga një kompani gjermane, e cila tenderin e parë e fitoi para 21 vitesh. Bëhet fjalë për kompaninë “Giesecke+Devrient”, së cilës në vitin 2005 iu dha kontrata për furnizimin me pasaporta elektronike, letërnjoftime dhe patentë-shoferë, si dhe sistemin për personalizimin e këtyre dokumenteve.

Sipas njoftimit të atëhershëm të vetë kompanisë, kontrata ishte lidhur për një periudhë prej 11 vitesh, me vlerë totale prej 23,5 milionë eurosh. Projekti duhej të fillonte në vitin 2005, ndërsa pasaportat dhe letërnjoftimet e para elektronike t’u lëshoheshin qytetarëve që në vitin 2006. Porosia përfshinte 1,5 milionë pasaporta me mikroçipa të integruar, 1,8 milionë letërnjoftime dhe 500 mijë patentë-shoferë, si dhe pajisje për personalizimin e centralizuar, grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave.

Nga kjo rezulton se kontrata fillestare ka skaduar në vitin 2016. Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk zbulon se kur, si dhe në çfarë kushtesh është vazhduar kontrata deri në ditët e sotme.

Kontratat fshihen si “konfidenciale”

Më 6 prill 2026, Qendra për Komunikime Qytetare i dërgoi MPB-së kërkesë për të gjitha të dhënat relevante që lidhen me furnizimin për prodhimin e dokumenteve personale. Por informacionet kyçe Ministria i ka shpallur të klasifikuara me shkallën “konfidenciale”.

Si informacione konfidenciale janë shënuar kontratat bazë dhe anekset e lidhura ndërmjet MPB-së dhe operatorit ekonomik “Giesecke+Devrient” për furnizimin me formularë të pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve. Si informacion konfidencial është shpallur edhe baza juridike, pra ligji mbi të cilin janë lidhur këto kontrata. MPB nuk zbulon as numrin e formularëve të blerë për dokumente personale gjatë periudhës 2021–2025, sipas llojit të dokumentit dhe sipas viteve.

Në përgjigjen e MPB-së thuhet se një pjesë e informacionit të kërkuar, në bazë të ligjit, përbën informacion të klasifikuar me shkallë përkatëse të klasifikimit. Ministria shton se është kryer edhe “testi i dëmit”, me ç’rast është vlerësuar se publikimi i një pjese të informacionit të kërkuar do të sillte pasoja për funksionimin e Ministrisë. Megjithatë, nuk sqarohet se për çfarë pasojash bëhet fjalë.

Me këtë qasje, e gjithë kontrata dhe anekset e saj mbeten jashtë vështrimit të publikut. Kjo kufizon transparencën mbi aspektet financiare dhe kontraktuale të furnizimit, ndonëse bëhet fjalë për dokumente që përdoren dhe paguhen nga të gjithë qytetarët.

Sipas Ligjit për Qasje të Lirë në Informacionet me Karakter Publik, nëse një dokument ose një pjesë e tij përmban informacione konfidenciale, ato duhet të ndahen, ndërsa pjesa tjetër e dokumentit duhet t’i vihet në dispozicion kërkuesit. Kjo do të thotë se nëse kontratat përmbajnë specifikime teknike, elemente sigurie, karakteristika mbrojtëse, mënyra personalizimi ose detaje të tjera sensitive, ato pjesë mund të mbrohen. Por kjo nuk do të thotë se e gjithë kontrata, përfshirë objektin e furnizimit, vlerën, kohëzgjatjen, palët kontraktuese, anekset, mënyrën e lidhjes dhe detyrimet e autoritetit kontraktues, duhet automatikisht të jenë të paarritshme për publikun.

Nuk ka pasur tender të ri që nga viti 2005

Edhe pse Ligji për Furnizime Publike është harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe parashikon nivel të lartë llogaridhënieje dhe transparence, publiku prej vitesh nuk ka qasje në informacionet se mbi çfarë kontratash dhe në çfarë kushtesh furnizohen formularët për dokumentet personale.

Pas skadimit të kontratës fillestare, MPB nuk ka zhvilluar procedurë të re për furnizim publik të formularëve për dokumente personale. Në periudhën 2018–2020 janë shpallur pesë procedura për “shërbime konsulence për përgatitjen e dokumentacionit projektues që do të përdorej për realizimin e furnizimit të shërbimeve për prodhimin e dokumenteve biometrike”. Të pesë procedurat janë anuluar, pasi nuk është dorëzuar asnjë ofertë e pranueshme, përcjell PressOnline.al.

Pas anulimit të këtyre procedurave, Ministria nuk ka shpallur tender të ri për furnizimin me formularë për dokumente personale, por ka vazhduar bashkëpunimin me të njëjtin furnizues, pa shpallje publike dhe pa procedurë konkurruese.

Të vetmet kontrata publike të qasshme janë ato për mbështetje teknike dhe mirëmbajtje të sistemit unik elektronik për dokumente personale, të lidhura me kompaninë gjermane “Veridos GmbH”, e themeluar nga “Giesecke+Devrient”. Këto kontrata janë lidhur përmes procedurës me negocim pa shpallje paraprake dhe me kohëzgjatje prej 36 muajsh. Në Sistemin Elektronik të Furnizimeve Publike janë publikuar kontratat e lidhura në vitet 2021 dhe 2024.

Ndërkohë, nuk ka njoftime për shpalljen e një tenderi të ri për prodhimin e dokumenteve personale. Në prill të vitit 2025, MPB lidhi kontratë me shoqërinë konsulente “Target Komunikacii” nga Shkupi për të analizuar mundësinë që i gjithë procesi – nga prodhimi deri te lëshimi i dokumenteve personale – të realizohet brenda territorit të shtetit.

Pa shifra nuk ka kontroll mbi çmimin

Një nga pyetjet kyçe është pse numri i formularëve të blerë për pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë është shpallur informacion konfidencial. Kërkesa kishte të bënte me numrin total të formularëve të furnizuar sipas llojit të dokumentit dhe sipas viteve, e jo me karakteristika sigurie, numra serikë, logjistikë, dërgesa, lokacione magazinimi apo detaje teknike të prodhimit.

Të dhëna të tilla statistikore janë të rëndësishme për kontrollin publik mbi shpenzimin e mjeteve buxhetore. Nëse nuk dihet sa formularë janë blerë, nuk mund të vlerësohet nëse çmimi është i arsyeshëm, nëse sasitë janë planifikuar realisht dhe nëse kontrata është ekonomikisht e justifikuar.

Gjatë pesë viteve të fundit, MPB i ka paguar furnizuesit 29 milionë euro. Kjo është më shumë se shuma e paguar për 11 vitet e para të kontratës, vlera e së cilës ishte 23,5 milionë euro. Ky fakt ngre pyetjen nëse janë rritur çmimet e formularëve dhe të mbështetjes teknike, nëse janë rritur sasitë e porositura apo nëse ekzistojnë rrethana të tjera kontraktuale që publiku nuk ka mundësi t’i verifikojë. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter