Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Sipas njoftimit të publikuar të enjten në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Votimi në misionet diplomatike ishte zhvilluar më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Nga gjithsej 27,724 shtetas të regjistruar për të votuar fizikisht në këto përfaqësi, kanë shfrytëzuar të drejtën e votës 22,860 qytetarë, që përbën 82.46 për qind të të regjistruarve.
Ndërkohë, në QNR po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Deri në fund të ditës së mërkurë janë shqyrtuar mbi 23,300 pako, prej të cilave 22,601 janë aprovuar, ndërsa 755 janë refuzuar.
KQZ bën të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i cili përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar për votim me postë. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 699 pako.
Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit.
Ndërkaq, më 8 qershor është përmbyllur tërheqja e pakove me fletëvotime nga votimi me postë. Nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete dhe në Kosovë janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime.
Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 6 deri më 17 maj 2026, për votimin me postë janë regjistruar gjithsej 104,480 shtetas të Kosovës.







