Vandalizimi i këndeve të lojërave për fëmijë dhe i pajisjeve urbane të vendosura nëpër lagje dhe parqe po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë në Shkup. Deri më tani, pushteti lokal nuk ka gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, përveç se të shpenzojë vazhdimisht mjete nga buxhetet komunale për riparimin dhe zëvendësimin e lodrave, stolave, koshave të mbeturinave dhe pajisjeve të tjera, shkruan PressOnline.al.
Komuna e Butelit, duke mos arritur ta zgjidhë problemin në mënyra të tjera, ka paralajmëruar se së shpejti do të vendosë sistem videomonitorimi në hapësirat publike. Sipas komunës, tashmë kanë filluar aktivitetet për instalimin e kamerave, me shpresën se kjo do të ulë dukuritë devijante dhe aktet e vandalizmit.
“Jemi përpjekur të mbrojmë pajisjet urbane, veçanërisht këndet e lojërave për fëmijë dhe terrenet sportive, por pavarësisht përpjekjeve, shkatërrimet vazhdojnë. Disa terrene nuk zgjasin as dy muaj – thyhen lodrat për fëmijë, koshat e basketbollit dhe pothuajse e gjithë infrastruktura urbane”, u ankua kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, përcjell PressOnline.al.
Sipas tij, materialet e inçizuara do të mund të përdoren si prova në procedura gjyqësore penale ose kundërvajtëse.
Ndërkohë, Komuna Qendër kishte një ide të ngjashme që para dy vitesh, kur Këshilli Komunal miratoi një vendim për mënyrën e realizimit të videomonitorimit në hapësirat publike të territorit të saj. Në bazë të këtij vendimi duhej të hartoheshin rregullore që do të përcaktonin saktësisht personat e autorizuar, kontrollorët, ata që do të kishin qasje në sistem, vendndodhjet e kamerave dhe të gjitha detajet e tjera, në mënyrë që të mos shkelej Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Megjithatë, deri më sot ky vendim ka mbetur vetëm në letër. Nga komuna thonë se pengesa kryesore ishte pikërisht mbrojtja e të dhënave personale. Për të njëjtat arsye nuk janë vënë në funksion as kamerat e vendosura në rrugën “Orce Nikollov”, të cilat duhej të monitoronin parkimin. Ato u blenë dhe u instaluan, por pas ankesave të qytetarëve, prej pesë vitesh qëndrojnë të papërdorura në shtyllat e rrugës.
Nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe me projektin e Komunës së Butelit, mbetet të shihet. Megjithatë, komuna nuk ka dhënë përgjigje nëse vendosja e videomonitorimit është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sidomos duke pasur parasysh se kamerat do të incizojnë edhe fëmijë.
Lidhur me pyetjen që Slloboden Peçat ia drejtoi Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nëse ligjërisht lejohet vendosja e kamerave në hapësira publike, veçanërisht në këndet e lojërave për fëmijë, dhe nëse lejohet videomonitorimi i fëmijëve, nga agjencia shpjegojnë procedurat që duhet të ndiqen për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas tyre, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kur përdorimi i teknologjive të reja për përpunimin e të dhënave, për shkak të natyrës, vëllimit, kontekstit dhe qëllimit të përpunimit, mund të krijojë rrezik të lartë për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, kontrolluesi – në këtë rast Komuna e Butelit – është i detyruar të kryejë një vlerësim të ndikimit të operacioneve të planifikuara në mbrojtjen e të dhënave personale.
Një vlerësim i tillë kërkohet veçanërisht kur përdoret një sistem videomonitorimi për mbikëqyrjen sistematike të hapësirave publike në përmasa të mëdha. Për këtë arsye, para se të fillojë përpunimi i të dhënave personale përmes videomonitorimit, komuna duhet të kryejë një analizë paraprake të ndikimit mbi privatësinë.
Ky vlerësim duhet të përfshijë:
* domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përpunimit të të dhënave në raport me qëllimet;
* vlerësimin e rreziqeve për të drejtat dhe liritë e qytetarëve;
* masat për zvogëlimin e këtyre rreziqeve;
* masat e sigurisë dhe mekanizmat që garantojnë mbrojtjen e të dhënave personale dhe pajtueshmërinë me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe interesat legjitime të qytetarëve dhe palëve të tjera të interesuara.
Në bazë të këtij vlerësimi, kontrolluesi duhet të vendosë nëse dhe në cilat hapësira mund të kryhet videomonitorimi, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia thekson se ky vlerësim duhet të përgatitet përpara fillimit të përpunimit të të dhënave, pra përpara vendosjes së sistemit të videomonitorimit, pasi sipas ligjit, kontrolluesi është përgjegjës për respektimin e rregullave dhe duhet të jetë në gjendje ta dëshmojë këtë përputhshmëri.
Nga Agjencia shtojnë se, në përputhje me ligjin, ajo kryen mbikëqyrje të pavarur dhe sistematike mbi ligjshmërinë e përpunimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo përfshin kontrolle të rregullta, të jashtëzakonshme dhe kontrolluese, me qëllim që të verifikohet nëse institucionet dhe subjektet e tjera i përpunojnë të dhënat personale në mënyrë të drejtë dhe nëse respektohen të drejtat e qytetarëve.
Nëse Komuna e Butelit, por edhe komunat e tjera në të ardhmen vendosin të instalojnë kamera në hapësira publike, ato do të duhet ta ndjekin këtë procedurë. Në të kundërt, kamerat mund të mbeten të varura në hapësirat publike vetëm deri në ankesën e parë të një qytetari që pretendon se i janë shkelur të drejtat për mbrojtjen e të dhënave personale. (PressOnline.al)







