Një raport i fundit i Entit Shtetëror për Revizion ka zbuluar parregullsi serioze në sistemin e ndihmës sociale në Maqedoninë e Veriut, ku për shkak të mungesës së kontrolleve efektive janë paguar në mënyrë të pajustifikuar mbi 236 mijë euro nga buxheti i shtetit, informon PressOnline.al.
Sipas revizionit, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 235 persona që në të njëjtën kohë kanë përfituar si ndihmë sociale ashtu edhe pension, gjë që nuk lejohet me ligj. Për këta përfitues janë paguar rreth 14,5 milionë denarë ose afërsisht 236 mijë euro pa bazë ligjore.
Revizorët theksojnë se problemet lidhen me dobësitë në kontrollin e sistemit dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve. Nga shuma e përgjithshme, mbi 10,7 milionë denarë janë paguar si Ndihmë Minimale e Garantuar, 426 mijë denarë si kompensim i përhershëm dhe mbi 3,3 milionë denarë si mbështetje për sigurinë sociale të të moshuarve.
Raporti evidenton edhe mungesë të kontrollit nga qendrat për punë sociale, dokumentacion të paplotë, vonesa në procedura dhe mosndjekje efikase të kthimit të mjeteve të paguara padrejtësisht.
Një tjetër problem shqetësues është mënyra e ruajtjes së dokumentacionit në Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale në Shkup. Sipas revizionit, një pjesë e madhe e dokumenteve ruhen në korridore dhe zyra, në kuti kartoni dhe regjistratorë, pa mbrojtje adekuate, duke rrezikuar humbjen ose dëmtimin e tyre.
Kritika janë adresuar edhe ndaj inspektimeve, të cilat sipas revizorëve nuk kryhen në mënyrë të plotë dhe të rregullt, duke ulur mundësinë për zbulimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve.
Raporti vjen në një periudhë kur pagesat e ndihmave sociale dhe shtesave për fëmijë kanë pësuar vonesa. Ministria e Politikës Sociale e ka arsyetuar situatën me një reformë të rëndësishme në sistemin e mbrojtjes sociale, ndërsa ka njoftuar se pagesat kanë nisur që nga 10 qershori.
Enti Shtetëror për Revizion rekomandon përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrolleve dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. (PressOnline.al)







