Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka dhënë detaje lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur më 7 qershor, si pasojë e të cilit katër persona janë pranuar për trajtim në repartin e Emergjencës.
Sipas njoftimit të spitalit, rreth orës 21:30, katër pacientë të lënduar janë sjellë në Emergjencë nga familjarët e tyre.
“Njëri prej pacientëve është sjellë pa shenja jete. Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha procedurat e nevojshme të reanimimit, por përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë si pasojë e lëndimeve të rënda të pësuara”, thuhet në njoftim.
Spitali bën të ditur se pacienti i dytë është hospitalizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, dy pacientët e tjerë, pas trajtimit dhe ekzaminimeve të nevojshme mjekësore, janë liruar për trajtim në kushte shtëpiake.
Sipas spitalit, stafi mjekësor ka reaguar menjëherë duke ofruar kujdesin e nevojshëm për të gjithë të lënduarit.
Lidhur me rrethanat e rastit, nga Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” kanë bërë të ditur se informacionet e mëtejshme janë në kompetencë të organeve të hetuesisë.





