Drejtuesit e automjeteve me benzinë do të përfitojnë nga çmimet e reja të karburanteve që hyjnë në fuqi nga mesnata, ndërsa ata që përdorin naftë do të përballen me një rritje të re të kostove.
Sipas vendimit më të fundit për korrigjimin e çmimeve të derivateve të naftës, çmimet e benzinave ulen për 2 denarë për litër, ndërsa Eurodizeli shtrenjtohet për 1.50 denarë për litër.
Me çmimet e reja, një litër EUROSUPER BS-95 do të shitet për 86 denarë, ndërsa EUROSUPER BS-98 do të kushtojë 88 denarë për litër. Nga ana tjetër, çmimi i EURODIZEL (D-E V) do të arrijë në 87 denarë për litër.
Kjo lëvizje i jep fund periudhës së shkurtër të uljes së çmimit të naftës, ndërsa pronarët e automjeteve me benzinë do të kenë një lehtësim të vogël në shpenzimet e përditshme për karburant.
Ndryshimet e fundit pasqyrojnë lëvizjet në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe derivateve, të cilat vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet me pakicë në vend.


