Kongresi i 32-të i LSDM-së: Filipçe paralajmëroi presion për planin e qartë për BE

featured
Press Online
07 Qershor 2026, 14:58

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në Kongresin e 32-të të partisë tha se Maqedonia gjendet para mundësisë historike për përshpejtimin e integrimit evropian, duke vlerësuar se pushteti aktual nuk ka plan të qartë për përparimin drejt Bashkimit Evropian dhe e akuzoi atë për ngecje ekonomike, dobësim të institucioneve dhe rritje të kontrollit politik mbi gjyqësorin dhe mediat. Ai bëri thirrje për bashkimin e forcave progresive kundër nacionalizmit, populizmit, autoritarizmit dhe korrupsionit dhe paralajmëroi platformë të re ideologjike, të bazuar në vlerat socialdemokrate.

Duke iu drejtuar delegatëve, Filipçe theksoi se Kongresi nuk është vetëm miratim formal i një dokumenti të ri partiak, por konfirmim i parimeve themelore të demokracisë sociale – drejtësi, solidaritet, institucione të forta, tatim korrekt dhe e ardhme evropiane.

“Ky kongres është dëshmi se jemi të fuqishëm, të bashkuar dhe të gatshëm të marrim vendimet që do të formësojnë të ardhmen tonë. Qëllimi i këtij kongresi nuk është vetëm të jetë miratim solemn i një platforme të re ideologjike. Ky është konfirmim se Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë i përmbahet fort thelbit të demokracisë sociale: drejtësi në vend të privilegjit, solidaritet në vend të frikës, tatim korrekt në vend të barrës mbi punën, institucione të forta në vend të një shteti partiak dhe një të ardhme evropiane në vend të një mjegulle nacionaliste”, tha Filipçe.

Ai paralajmëroi se LSDM-ja do të veprojë në tre drejtime në periudhën e ardhshme – kërkimin e një plani të qartë shtetëror për hapjen e klasterëve dhe kapitujve në negociatat me BE-në, duke ofruar një alternativë socialdemokrate ndaj ngecjes ekonomike dhe institucionale, si dhe mobilizim të forcave shoqërore progresive. Në këtë drejtim, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e “Nismës së Shkupit”, e cila, siç tha ai, synon të bashkojë forcat progresive në Ballkan kundër nacionalizmit, populizmit dhe krimit të organizuar.
Në fjalimin, ai kritikoi situatën aktuale në vend, duke deklaruar se qytetarët po përballen me harxhime të larta për jetesë, rënie të punësimit në industri dhe rënie të investimeve të huaja.

“Demokracia po vdes në vendin tonë. Dhe kjo është pamja e vërtetë e qeverisjes sot: shtrenjtë për qytetarët, vetëbesim i pushtetit, PR i zbrazët, ngecje në institucione, kontroll mbi mediat dhe konfuzion mbi çështjet strategjike”, tha Filipçe.

Duke u përqëndruar në integrimin evropian, kryetari i LSDM-së tha se porositë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat tregojnë se zgjerimi është përsëri lart në agjendën e BE-së, por paralajmëroi se Maqedonia rrezikon të mbetet prapa venE madhee fqinje nëse nuk ndërmerr hapa konkretë.

“Derisa ne jemi në vend, Shqipëria tashmë i ka hapur të gjitha klasteret, ndërsa marrëveshja e anëtarësimit për Malin e Zi tashmë po shkruhet në Bruksel. Historia nuk na pret. Trenat në politikë nuk kapen me justifikime, por me vendime”, theksoi Filipçe.

Sipas tij, integrimi evropian nuk është vetëm çështje gjeopolitike, por lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve përmes shërbimeve më të mira publike, pagave më të larta, sundimit më të fortë të ligjit dhe më shumë mundësive për të rinjtë.

Në fund të fjalimit të tij, Filipçe tha se LSDM do të mbetet, siç tha, “në anën e njeriut të zakonshëm, punëtorit, të rinjve, drejtësisë dhe Evropës”, duke bërë thirrje për rivendosjen e besimit në politikë dhe institucione.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter