Gashi: Gazi amerikan është interes strategjik për Kosovën

featured
Press Online
05 Qershor 2026, 20:18

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar ashpër qeverisjen e gjashtë viteve të fundit, veçanërisht në sektorin e energjisë, të cilin e cilësoi si dështim.

Gashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se Kosova ka shpenzuar miliarda euro për energjinë elektrike gjatë kësaj periudhe dhe se, sipas tij, Serbia ka pasur rol dominues si prodhues dhe eksportues në tregun energjetik rajonal.

“Ne jemi munduar që para qytetarëve të shpalosim një analizë kritike të qeverisjes së fundit për të parë se si do të jetë perspektiva e qeverisjes së ardhme. Këto gjashtë vjet unë i konsideroj dështim sepse ngecje do të ishte fjalë e butë sepse ngecje nënkupton se është filluar diçka e nuk është filluar asgjë në rritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike në vend e as nuk është filluar projektimi se le më me punën. Energjia është siguri nacionale për Kosovën dhe energjia me burime amerikane është siguri ndërkombëtare – nëse ka pasur një marrëveshje me Washintgonin që Kurti e quajti tradhti e cila thotë se duhet të ndërtohet një gazsjellës që fillon nga Selaniku, hyn në Maqedoni e nga Kosova në Serbi dhe Kosova ta refuzojë është gabim strategjik sepse Kosova do të ishte pikë kontrolli”, u shpreh Gashi.

Gashi, mes tjerash, u shpreh se çështja e gazit amerikan nuk duhet të shihet si një projekt thjesht teknik, por si një vendim me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendit.

“Është vonim dhe kosto shumë e lartë ekonomike e politike për Kosovën dhe gjasat janë se është rikthy në vëmendje dhe kjo i jep mundësi Kosovës edhe njëherë që kjo të ndërtohet – ne kemi shpenzuar miliarda për energjinë elektrike dhe dominues në këto gjashtë vjet nën udhëheqjen e Albin Kurtit ka qenë Serbia si prodhues e eksportues dhe si ndërmjetësues ka qenë një person i afërt i Albin Kurtit, Martin Berishaj, i cili është nën hetime penale. Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për energjinë elektrike. Zgjidhja duhet të jetë gjithëpërfshirëse përveç gazit me bazë amerikane që është interes strategjik – Kosova ka kapacitet me ndërtu një termocentral me gaz dhe prodhon energji elektrike më lehtë – momentumi historik i Kosovës është që të ndërtoj kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike me qymyr pas 10-15 vjet do të jetë e pamundur ne duhet me përdorë qymyrin në të kundërtën do të jetë i varrosur nën tokë”, u shpreh Gashi.

Mes tjerash, Gashi prezantoi disa nga prioritetet e LDK-së për katër vitet e ardhshme, përfshirë subvencionim për familjet e reja, shtesa për fëmijët e porsalindur, çerdhe të garantuara, mësim tërë ditor, si dhe programe për punësim të garantuar për të rinjtë pas moshës 18 vjeç.

“Ne e kemi pjesën e familjes dhe shtetit pasi është e rëndësishme me pas se ku po shkon shteti i Kosovës e këtë pos LDK-së nuk e diskuton askush. Ne kemi paraparë subvencionim për çdo familje të re, shtesa për fëmijët e porsalindur, çerdhe të garantuar për çdo fëmijë e mësim tërë ditor dhe kur një fëmijë bëhet 18 vjet e bëhet pjesë e tregut të punës kemi paraparë 6 muaj punë të garantuar varësisht prej profesionit me pagesë prej shtetit dhe kemi paraparë subvencionimin e parë të banimit”, u shpreh Gashi.

https://www.youtube.com/watch?v=AR7wFfsDS2E

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter