Qëndrimi i gjatë ulur, mungesa e aktivitetit fizik, mosha dhe proceset inflamatore janë ndër faktorët kryesorë që çojnë në ngurtësi dhe dhimbje të nyjave. Ekspertët shpjegojnë se, në shumicën e rasteve, kjo gjendje lidhet me mënyrën e jetesës, por ndonjëherë mund të sinjalizojë edhe probleme më serioze shëndetësore.
Nyjat janë struktura ku bashkohen dy ose më shumë eshtra dhe mundësojnë lëvizjen e trupit. Brenda tyre ndodhet lëngu sinovial, i cili vepron si lubrifikant natyral, duke reduktuar fërkimin dhe duke ushqyer kërcin. Kur ky ekuilibër prishet, shfaqen dhimbja dhe ngurtësia.
Sipas specialistëve, hapat e parë pas një periudhe pushimi janë zakonisht më të vështirët, sidomos në mëngjes. Kjo ndodh për shkak të uljes së qarkullimit të gjakut dhe tendosjes së muskujve rreth nyjave gjatë qëndrimit pa lëvizje.
Pas pushimit, nyjat mund të ndihen të ngurta dhe të dhimbshme, por kjo nuk është gjithmonë shenjë e një problemi serioz
-shpjegon dr. Samuel Ashby, kirurg ortoped në Banner Health.
Në shumë raste, bëhet fjalë për ngurtësi të përkohshme, e cila zgjat pak minuta dhe zhduket sapo trupi vihet në lëvizje. Kjo formë është më e zakonshme te personat që qëndrojnë gjatë ulur, te të moshuarit, si dhe te ata me mbipeshë apo dehidrim.
Megjithatë, në disa raste, ngurtësia mund të lidhet me sëmundje si osteoartriti, që vjen nga konsumimi gradual i kërcit në nyja. Kjo gjendje prek më shpesh gjunjët, ijët, duart dhe shtyllën kurrizore dhe shoqërohet me dhimbje gjatë lëvizjes dhe ndonjëherë me ndjesi kërcitjeje në nyje.
Gjendjet inflamatore si artriti reumatoid dhe lupusi mund të shkaktojnë gjithashtu ngurtësi më të theksuar, e cila zgjat më shumë se një orë dhe shpesh shoqërohet me ënjtje, skuqje, nxehtësi dhe lodhje të përgjithshme.
Ekspertët theksojnë se edhe mbingarkesa fizike ose lëvizjet e përsëritura mund të irritojnë indet rreth nyjave, duke shkaktuar dhimbje dhe ndjeshmëri.
Kur duhet të shqetësoheni?
Rekomandohet konsultimi me mjekun nëse:
-ngurtësia zgjat më shumë se 30–60 minuta
-dhimbja përkeqësohet me kohën
-ka ënjtje, skuqje ose nxehtësi në nyje
-lëvizja bëhet e kufizuar
-dhimbja ndikon në gjumin dhe aktivitetet e përditshme
Si mund ta lehtësoni ngurtësinë?
Në shumicën e rasteve, simptomat mund të përmirësohen me ndryshime të thjeshta në rutinë. Specialistët rekomandojnë shmangien e lëvizjeve të menjëhershme pas zgjimit dhe fillimin me shtrirje të lehta.
Ndihmojnë gjithashtu ushtrime të thjeshta si rrotullimi i nyjave, përkulja e gjunjëve dhe shtrirjet anësore. Aktiviteti fizik i rregullt me intensitet të ulët si ecja, noti, joga apo biçikleta, ndihmon në ruajtjen e fleksibilitetit të nyjave.
Po aq e rëndësishme është edhe shmangia e qëndrimit të gjatë pa lëvizje. Ekspertët këshillojnë të ngrihemi çdo 30–60 minuta për pak lëvizje të lehta.
Në shumicën e rasteve, ngurtësia e nyjave është një reagim normal i trupit ndaj mungesës së aktivitetit dhe përmirësohet shpejt. Por nëse simptomat bëhen të vazhdueshme ose përkeqësohen, kontrolli mjekësor mbetet i domosdoshëm.





