Gjermania ka dështuar të sigurojë një vend si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2027-2028, në një votim të zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Në votimin e fshehtë, Austria dhe Portugalia arritën të siguronin mbështetjen e nevojshme, duke lënë jashtë garës kandidaturën gjermane. Për t’u zgjedhur kërkohej mbështetja e dy të tretave të 193 shteteve anëtare të OKB-së.
Sipas rezultateve zyrtare, Portugalia mori 134 vota, Austria 131 vota, ndërsa Gjermania vetëm 104 vota.
Dy vendet fituese do të përfaqësojnë grupin e shteteve të Evropës Perëndimore në organin më të fuqishëm të OKB-së, ku kësaj zone i takonin dy vende dhe në garë ishin tre kandidatë.
Humbje diplomatike për Berlinin
Dështimi konsiderohet një goditje për diplomacinë gjermane dhe për qeverinë e kancelarit Friedrich Merz, e cila synonte të forconte rolin e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare.
Analistët në Gjermani vlerësojnë se kandidatura gjermane hasi në rezistencë nga një numër i konsiderueshëm vendesh për shkak të qëndrimeve të Berlinit në çështje të ndryshme ndërkombëtare.
Mes tyre përmendet politika e Gjermanisë ndaj Izraelit, refuzimi për të njohur një shtet palestinez, si dhe qëndrimi i saj ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Gjermania ka shërbyer gjashtë herë në Këshillin e Sigurimit
Pavarësisht këtij rezultati, Gjermania mbetet një nga vendet që ka pasur disa mandate në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ka shërbyer gjashtë herë si anëtare jo e përhershme.
Megjithatë, votimi i fundit shihet si një sinjal i qartë për sfidat me të cilat po përballet Berlini në përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e tij diplomatik në skenën globale.



