Mbrojtësi francez Ibrahima Konaté është shumë pranë transferimit te Real Madrid si lojtar i lirë, pasi negociatat për rinovimin e kontratës me Liverpool kanë dështuar përfundimisht.
Sipas raportimeve, qendërmbrojtësi 27-vjeçar e konsideron klubin madrilen si destinacionin e tij të preferuar dhe pritet t’i bashkohet skuadrës pas përfundimit të angazhimit me kombëtaren e Francës në Kupën e Botës.
Nëse marrëveshja finalizohet, Konaté do të ribashkohet në “Santiago Bernabéu” me ish-shokun e skuadrës te Liverpooli, Trent Alexander-Arnold, ndërsa do të punojë nën drejtimin e trajnerit portugez José Mourinho.
Liverpooli kishte nisur bisedimet për rinovimin e kontratës së Konaté që në nëntor të vitit 2023, por negociatat e gjata u ndërprenë javën e kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi aspektet financiare të marrëveshjes së re.
LEXO EDHE: Një biznesmen kërkon të thyejë hegjemoninë e Perez, shfaqet një kandidat i ri për president të Real Madridit
Vetëm pak javë më parë, më 19 prill, mbrojtësi kishte deklaruar se ishte pranë firmosjes së një kontrate të re dhe se dëshira e tij kryesore ishte të vazhdonte karrierën në “Anfield”. Megjithatë, zhvillimet e fundit duket se kanë ndryshuar plotësisht situatën.
Konaté iu bashkua Liverpoolit në vitin 2021 nga RB Leipzig për rreth 35 milionë paund dhe ka qenë një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të skuadrës angleze gjatë viteve të fundit.
Ndërkohë, Real Madridi, i cili ishte lidhur me emrin e francezit edhe më herët gjatë sezonit, ka rikthyer interesimin dhe thuhet se i ka ofruar një kontratë katërvjeçare.
LEXO EDHE: Zgjedhjet te Reali i Madridit komplikojnë kthimin e Jose Mourinhos, tani Benfica kërkon 15 milionë euro



