Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, vlerëson se asnjë vend, pavarësisht sa e vështirë është situata në të cilën ndodhet, nuk duhet të ketë përparësi dhe të hyjë në Bashkimin Evropian me procedurë të përshpejtuar. Sipas tij, çdo shtet duhet të kalojë rrugën e negociatave dhe reformave, e më pas të bëhet pjesë e Unionit. Prandaj, ai konsideron se vendet që kanë të drejtë të bëhen anëtare të BE-së janë, para së gjithash, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
"Sa i përket propozimit të kancelarit Merz, ekziston një pajtim i plotë ndërmjet presidentit dhe kryeministrit të Sllovakisë, sepse personalisht mendoj dhe ia kam thënë këtë presidentes gjatë bisedimeve tona zyrtare se në procesin e anëtarësimit nuk duhet të ketë rrugë të shkurtra. Asnjë vend, pavarësisht se në çfarë situate të vështirë ndodhet, nuk mund të marrë thjesht përparësi për t’u pranuar para venE madhee që kanë kaluar një rrugë të gjatë dhe vite të tëra përgatitjesh. Kjo do të ishte shumë negative për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për qytetarët e tyre, nëse Ukraina do të bëhej menjëherë anëtare e BE-së ose do të kishte një formë anëtarësimi të asociuar dhe do të mund të ulej në tryezën e negociatave dhe takimeve të Bashkimit Evropian" - deklaroi Pellegrini në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova, përcjell PressOnline.al.
Ai shtoi se BE-ja ka rregullat e saj dhe ato duhet të respektohen. Nëse Ukraina i përmbush këto kushte dhe ndjek këtë rrugë, Sllovakia sigurisht që do ta mbështesë në këtë proces, por nuk do të mbështesë asnjë rrugë të shkurtër apo privilegj që do t’i ofrohej një vendi të caktuar para të tjerëve.
"Prandaj jam i bindur se vendet që kanë të drejtë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian janë, para së gjithash, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. U mbajt një samit i ministrave të jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe askush nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij. Sllovakia do të vazhdojë të flasë me zë të lartë për këtë çështje në nivel politik. Një tjetër temë që diskutuam me zonjën presidente – nuk mund ta imagjinoj që Bashkimi Evropian të zgjerohet me një vend që është në luftë me Federatën Ruse. Ukraina u sulmua nga Federata Ruse. Kjo do të nënkuptonte që një vend që nuk është pjesë e BE-së të bëhej pjesë e saj në kushte të tilla. Kur mendojmë për të ardhmen e Ukrainës, kushti i parë është arritja e një marrëveshjeje të drejtë dhe përfundimi i luftës. Vetëm më pas mund të flitet për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në BE. Ky konflikt duhet të zgjidhet në mënyrë diplomatike dhe kjo duhet të jetë kushti themelor për çdo diskutim të ardhshëm mbi anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian" - tha Pellegrini.
Presidentja Siljanovska-Davkova ndodhet për një vizitë zyrtare në Slovakia, ku sot u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Më pas ajo zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e saj sllovak Peter Pellegrini, pas të cilit u mbajt një takim plenar i delegacioneve maqedonase dhe sllovake.
Në fokus të bisedimeve ishte vlerësimi dhe avancimi i marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin politik, procesin e gjatë të integrimit evropian të vendit dhe mbështetjen sllovake në këtë proces. Temë diskutimi ishin gjithashtu bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe investimet, si dhe mundësitë për partneritet më të fuqishëm në energjetikë, infrastrukturë, turizëm dhe inovacion.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për gjendjen aktuale të sigurisë dhe zhvillimet gjeopolitike në Evropë, bashkëpunimin në kuadër të NATO, si dhe nevojën për stabilitet dhe një perspektivë të qartë evropiane për rajonin.
Në kuadër të vizitës zyrtare, presidentja pritet të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Sllovakisë, Richard Rasi, si dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Sllovakisë, Robert Kalinak. (PressOnline.al)



